Miratohet nga MASH katalogu i teksteve shkollore, ekzekutohen mjetet financiare te prindërit

Nga D V
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar sot Katalogun Zyrtar të Teksteve Shkollore dhe ka njoftuar se janë ekzekutuar mjetet financiare në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve për nxënësit e klasave 1–9 për vitin shkollor 2026/2027.

Sipas MASh, aplikimi për subvencionim ka nisur më 27 korrik përmes platformës eKosova, ndërsa aplikimet janë verifikuar fillimisht nga koordinatorët e autorizuar nëpër shkolla dhe më pas nga komisioni përkatës i ministrisë. Lista përfundimtare e përfituesve i është përcjellë Ministrisë së Financave për realizimin e pagesave.

Ministria ka bërë të ditur se pas negociatave me shtëpitë botuese janë përcaktuar çmimet finale të teksteve shkollore. Katalogu zyrtar përcakton çmimin e secilit tekst, ndërsa këto çmime janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.

Vlera e subvencionimit për tekstet shkollore në gjuhën shqipe, sipas klasave, është:

  • Klasat 1 dhe 2: 60 euro
  • Klasa 3: 65 euro
  • Klasa 4: 70 euro
  • Klasa 5: 80 euro
  • Klasat 6 dhe 7: 90 euro
  • Klasat 8 dhe 9: 100 euro

Me miratimin dhe publikimin e katalogut, prindërit dhe kujdestarët ligjorë mund të nisin blerjen e teksteve shkollore.

MASh u ka bërë thirrje prindërve që gjatë blerjes të kontrollojnë nëse tekstet po shiten me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar.

Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit do të nisë nga sot monitorimin intensiv të pikave të shitjes, me qëllim verifikimin e respektimit të çmimeve.

Pas fillimit të vitit shkollor, inspektorët do të kryejnë verifikime edhe në shkolla për të konstatuar nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.

Çmimet e përcaktuara në këtë katalog janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pikat e shitjes së teksteve shkollore.

Katalogu është publikuar online dhe mund ta gjeni në: https://mash.rks-gov.net/…/katalogu-i-teksteve…/ .

Prindërit që hasin mospërputhje mes çmimeve të katalogut dhe atyre në pikat e shitjes mund ta raportojnë rastin në numrat zyrtarë të MASh: +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005.

Ministria ka njoftuar gjithashtu se sistemi i aplikimit në eKosova mbetet i hapur për fëmijët që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë dhe do të regjistrohen në afatin e dytë.

I njëjti sistem mbetet i hapur edhe për prindërit e nxënësve të niveleve të tjera që, për arsye të ndryshme, ende nuk kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër