Shkup, 28 gusht, Zhurnal.mk – LSDM kërkon nga Qeveria të publikojë kompanitë me të cilat po negocion për ndërtimin e qendrave të të dhënave në Maqedoni, si dhe kushtet që u ofrohen investitorëve potencialë.
Nga partia reagojnë pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se Qeveria po bisedon me pesë deri gjashtë investitorë potencialë për qendra të të dhënave, duke vlerësuar se opinioni deri tani nuk ka informacione me kë po zhvillohen bisedimet, për çfarë projektesh bëhet fjalë dhe çfarë obligime do të merrte shteti.
“Cila është kompania? Me kë dhe për çfarë saktësisht po negociohet? Çfarë kushtesh u ofron Qeveria? Nuk ka përgjigje, nuk ka emra, nuk ka marrëveshje, nuk ka analiza dhe nuk ka shifra”, theksojnë nga LSDM.
Partia opozitare veçanërisht kërkon të publikohen vlerësimet për konsumin e energjisë elektrike dhe ujit nga qendrat e ardhshme të të dhënave, si dhe analizat për ndikimin e tyre mbi sistemin energjetik, furnizimin me ujë dhe bujqësinë.
Nga LSDM pretendojnë se qendrat e mëdha të të dhënave mund të jenë konsumues të rëndësishëm të rrymës dhe ujit dhe paralajmërojnë se shteti nuk duhet të marrë obligime ndaj investitorëve pa qenë më parë e qartë se sa resurse do të nevojiten dhe kush do të financojë investimet infrastrukturore të domosdoshme.
“Maqedonia nuk ka resurse për eksperimente prapa dyerve të mbyllura, veçanërisht jo me ujin”, thonë nga partia, duke shtuar se para realizimit të projekteve të tilla duhet të jenë të njohura edhe përfitimet ekonomike – numri i vendeve të punës, të ardhurat për shtetin dhe komunitetet lokale, si dhe subvencionet ose lehtësimet eventuale për investitorët.
LSDM thekson se nuk është kundër investimeve në teknologji të reja dhe qendra të të dhënave nëse ato sjellin zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune, por kërkon që resurset që do t’i përdorin projektet të mos vihen në dispozicion pa një llogaritje të qartë për përfitimin për shtetin.
“Fillimisht marrëveshjet dhe analizat mbi tavolinë, pastaj tregimet për investime”, porosisin nga LSDM, duke kërkuar transparencë të plotë për të gjitha bisedimet që Qeveria i zhvillon me investitorët potencialë.
