Aeroporti i Tiranës thyen rekordin/ Mbi 1.7 milion pasagjerë vetëm në muajin Gusht

Nga Xh M
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 gusht Zhurnal.mk – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shënuar një tjetër rekord në fluksin e udhëtarëve, me më shumë se 1.7 milion pasagjerë të përpunuar vetëm gjatë muajit gusht.

Shifra është bërë publike nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili e ka cilësuar këtë rritje si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare.

Fluksi i lartë i udhëtarëve gjatë sezonit veror tregon vijimin e rritjes së numrit të turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion.

Ministri Gonxhja e ka lidhur këtë ecuri me rritjen e aktivitetit turistik, duke theksuar se flukset e larta të udhëtarëve sjellin ndikim edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, përfshirë transportin, akomodimin, gastronominë dhe shërbimet.

“1 milion e 717 mijë pasagjerë vetëm gjatë muajit gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Një shifër që flet qartë për Shqipërinë turistike që po konsolidojmë dhe për interesin gjithnjë e më të madh të vizitorëve të huaj për vendin tonë,” tha ministri Gonxhja.

Sipas tij, më 17 gusht u shënua rekord ditor me mbi 60 mijë pasagjerë dhe 326 fluturime.

“Kjo erdhi pas një korriku me afro 1 milion e 650 mijë pasagjerë, 28.1% më shumë se një vit më parë. Këto rezultate konfirmojnë rritjen e qëndrueshme të turizmit dhe interesin në rritje për Shqipërinë.

Edhe vlerësimet europiane e mbështesin këtë ecuri, duke e renditur Tiranën ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në kategorinë e aeroporteve të mëdha”, shprehet ai.

Ai nënvizon se kjo rritje sjell njëkohësisht përgjegjësi për të ndërtuar një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, që e shndërron interesin në rritje në zhvillim dhe mirëqenie për komunitetet lokale.

“Më shumë lidhje ajrore do të thotë më shumë mundësi për turizmin, më shumë zhvillim për ekonomitë lokale dhe një Shqipëri më e hapur, më e aksesueshme dhe më konkurruese në tregun ndërkombëtar të turizmit. Kjo rritje është njëkohësisht një përgjegjësi për të vijuar punën për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, që e shndërron interesin në rritje për Shqipërinë në zhvillim dhe mirëqenie për komunitetet tona”, thekson Gonxhja.

Aeroporti i Tiranës vijon të jetë pika kryesore hyrëse për turistët e huaj në Shqipëri, ndërsa rritja e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve ka ndikuar në zgjerimin e mëtejshëm të lidhjeve ajrore të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër