Memaj për ATSH: Nga nesër reduktojmë flotën e autobusëve me 20-30%

Nga D V
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar sot me një kërkesë zyrtare institucioneve kryesore shtetërore për të njoftuar reduktimin e flotës së mjeteve të transportit publik në masën 20–30%, duke filluar nga data 1 shtator 2026.

Përmes shkresës drejtuar Kryeministrisë, bashkisë Tiranë, ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, përfaqësuesit e transportit bëjnë me dije se ky vendim vjen si pasojë e vështirësive të thella financiare dhe moskompensimit të kostos së karburantit.

Lajmi u konfirmua për ATSh-në nga kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj, ndërsa në shkresën zyrtare thuhet se niveli i lartë i çmimit të karburantit dhe shpenzimet e tjera operative kanë cenuar rëndë likuiditetin e kompanive, ndërsa kërkesat e tyre të mëparshme për mbështetje dhe zgjidhje institucionale nuk kanë marrë ende përgjigje konkrete.

“Pavarësisht kërkesave dhe komunikimeve të vazhdueshme të adresuara pranë institucioneve përgjegjëse lidhur me kompensimin e kostove të karburantit, operatorët vijojnë të përballen me mosrealizimin e kompensimit, ndërkohë që për një pjesë të kërkesave dhe problematikave të ngritura nuk është dhënë ende një përgjigje apo një zgjidhje konkrete institucionale. Kjo situatë, e kombinuar me nivelin e lartë të kostos së karburantit dhe shpenzimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e aktivitetit, ka cenuar ndjeshëm likuiditetin financiar të operatorëve dhe mundësinë e tyre për të përballuar kostot ditore të operimit të të gjithë flotës së mjeteve”, thuhet në shkresë.

Për këtë arsye, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban njoftojnë se duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20-30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion.

“Masa e reduktimit nuk përbën një zgjedhje të operatorëve dhe as një mungesë vullneti për garantimin e shërbimit normal të transportit publik. Ajo është një pasojë e drejtpërdrejtë e pamundësisë financiare për të mbuluar kostot e operimit me flotë të plotë, sidomos kostot e karburantit, të cilat përbëjnë një nga zërat kryesorë të aktivitetit. Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik”, vijon shkresa.

Përfaqësuesit e transportit publik u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë me urgjencë për realizimin e kompensimit të karburantit dhe trajtimin e problematikave me prioritet, me qëllim shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të shërbimit për qytetarët dhe rikthimin e operimit me kapacitet të plotë.

“Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm. Për sa më lart, kërkojmë trajtimin me prioritet dhe urgjencë të kësaj situate, me qëllim shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të shërbimit të transportit publik dhe rikthimin sa më parë të kapacitetit të plotë operacional”, përfundon shkresa.

Më herët, me vendim të KM, kompanive të transportit publik qytetas, ndërqytetës dhe rrethqytetas u vendos rimbursimi me 50 lekë çdo litër naftë. Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas

 

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër