Marrëveshja me LVV-në dhe kandidatura e Sejdiut për president – a ka pakënaqësi në LDK?

Nga D V
685 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Marrëveshja e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president nuk është pritur njëzëri brenda LDK-së.

Siç raportohet brenda partisë, ka pasur pakënaqësi lidhur me mënyrën se si është arritur marrëveshja dhe madje thuhet se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk është konsultuar paraprakisht me strukturat e partisë për emrin e Sejdiut.

Kryesia e LDK-së pritet të mblidhet të martën, ndërsa më pas pritet edhe një takim me Grupin Parlamentar.

Telegrafi ka provuar të marrë qëndrime nga deputetë dhe zyrtarë të LDK-së lidhur me marrëveshjen dhe kandidaturën e Sejdiut, përfshirë Hykmete Bajramin, Avdullah Hotin, Armend Zemajn dhe Imri Ahmetin, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje prej tyre.

Abdixhiku, ndërkohë, ka deklaruar se LDK-ja do ta mbështesë marrëveshjen, duke theksuar se interesi i shtetit duhet të jetë mbi atë partiak.

Marrëveshja për kandidaturën e Sejdiut u bë publike pas takimit të Abdixhikut me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sejdiu e ka pranuar kandidaturën, duke thënë se është vënë në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Tash, përveç marrëveshjes politike mes dy partive, sfida mbetet sigurimi i votave të nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër