Prishtinë, 31 gusht Zhurnal.mk – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, pasi numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 151.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë periudhës 16 prill – 30 gusht 2026 janë konfirmuar 151 raste, prej tyre, në javën e fundit janë regjistruar 4 raste të reja me fruth.
“Të dhënat tregojnë se mbi 95% e rasteve të konfirmuara me fruth janë te personat e pavaksinuar me vaksinën MMR, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi. Kjo tregon qartë rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi”, thuhet në njoftim.
IKShPK njofton se, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit të vaksinimit, është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar (catch-up), duke ua mundësuar vaksinimin fëmijëve që, për arsye të ndryshme, kanë shtyrë vaksinimin.
“Gjatë këtij viti, rreth 2,500 fëmijë të grup-moshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes vaksinimit catch-up, duke dëshmuar angazhimin e prindërve për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve të tyre”, thuhet në njoftim.
IKShPK vlerëson pozitivisht angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e vaksinimit dhe mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi.
