Hoxha takim me homologun slloven: Të përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave drejt BE-së

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 shtator, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim në Bled, Slloveni me homologun slloven, Tone Kajzer.

Takimi u zhvillua në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bledit (BSF26).

Hoxha informoi se biseda u fokusua te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ardhmen e Evropës dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, Hoxha theksoi se në takim u diskutua mbi nevojën për të forcuar më tej lidhjet tona ekonomike dhe kontaktet njerëzore, duke i sjellë ato në përputhje me dialogun e shkëlqyer politik midis dy vendeve tona.

“Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë bindjen se zgjerimi i BE-së është, para së gjithash, një proces i bazuar në meritë, i fituar përmes reformave, rezultateve dhe besimit të ndërsjellë. Në të njëjtën kohë, është gjithnjë e më shumë një imperativ gjeopolitik dhe një investim në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, shtoi ai.

Hoxha siguroi se Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të përmbushur angazhimet e saj, me objektivin e avancimit me vendosmëri drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

artikuj të ndërlidhura