Tiranë, 1 shtator, Zhurnal.mk – Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi sot pas hyrjes në fuqi, të Rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
AGSH shpreh “keqardhje dhe zhgënjim” për hyrjen në fuqi të rregullores, pavarësisht shqetësimeve dhe rekomandimeve të ngritura më herët nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat vendase e ndërkombëtare të medias.
Në fokus të shqetësimeve të AGSH-së janë veçanërisht dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e reporterëve, përfshirë kufizimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.
“AGSH kishte kërkuar që përpara hyrjes në fuqi të Rregullores të zhvillohej një proces konsultimi me gazetarët dhe organizatat përfaqësuese të medias, veçanërisht për dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e reporterëve, përfshirë kufizimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore”, thuhet në reagimin e AGSH-së.
AGSH, thekson se “vlerësojmë rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, por besojmë se ky objektiv mund dhe duhet të harmonizohet me të drejtën e medias për të raportuar dhe me të drejtën e publikut për t’u informuar”.
Asociacioni shprehet se “mbetet i gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv”, teksa shton se “do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim”.
