Xhixho: Ndërtimi është kthyer në “lavatriçen e parave të pista”

Nga D V
736 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendëspresidentja dhe Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, tha sot se sektori i ndërtimit është kthyer në një kanal për pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit të grupeve kriminale.

Në një deklaratë për shtyp, Xhixho kërkoi që për sektorin e ndërtimit të flitet me fakte dhe jo me propagandë, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi transparencën e lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqet e dhëna për ndërtim.

Sipas saj, të dhënat tregojnë se sipërfaqja e dhënë për ndërtim është gati katër herë më e lartë se ajo e deklaruar zyrtarisht.

“Mungesa e transparencës për lejet e ndërtimit dhe sipërfaqet e dhëna për betonizim janë alarmante. Pse fshihet kjo shifër? Sa leje janë dhënë realisht? Sa territor po i dorëzohet betonit? Dhe mbi të gjitha, kush po përfiton nga ky bum i jashtëzakonshëm ndërtimi?”, tha ajo.

Deputetja iu referua edhe të dhënave të Eurostat, duke deklaruar se ndërtimi përbën 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është nën 5%.

Sipas saj, rritja e ndërtimeve nuk është shoqëruar me strehim të përballueshëm për qytetarët, ndërsa Tirana dhe bregdeti janë kthyer në “kantiere të pafundme”.

“Por ky bum nuk po përkthehet në strehim të përballueshëm për shqiptarët. Tirana dhe bregdeti janë kthyer në kantiere të pafundme, ndërsa çmimet e banesave janë bërë të papërballueshme. Një familjeje me të ardhura mesatare i duhen rreth 60 vite për të blerë një shtëpi”, tha ajo.

Në përfundim, deputetja e Partisë së Lirisë kërkoi hetimin e lejeve të ndërtimit, pronarëve, financuesve dhe burimit të parave që qarkullojnë në sektor.

“Qeveria nuk mund të fshihet më pas kullave, shifrave të manipuluara dhe propagandës. Hetimi i lejeve, pronarëve, financuesve dhe parave  që qarkullojnë në këtë sektor është emergjente  dhe detyrim ndaj qytetarëve Koha për llogaridhenie  për këtë kriminalizim të ekonomisë që i ka bërë Rilindja Shqipërisë” tha Xhixho.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër