Tiranë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ndau në rrjetet sociale një video me dy punonjëse të policisë së burgjeve në IEVP Pojskë, Pogradec, duke vënë në fokus përgjegjësinë dhe sfidat e përditshme të profesionit të tyre.
Gogu thekson se puna në institucionet e vuajtjes së dënimit kërkon vigjilencë të vazhdueshme, zbatim të saktë të procedurave dhe vendimmarrje të kujdesshme në situata të ndryshme.
“Çfarë do të thotë të punosh çdo ditë aty ku vigjilenca nuk mund të mungojë asnjëherë? Siguri dhe rend. Mbikëqyrje. Kontrolle. Procedura që duhen zbatuar me saktësi. Këto janë procese që kërkojnë vëmendje, qetësi dhe vendimmarrjen e duhur në çdo situatë. Janë profesionistët ata që i japin siguri dhe besueshmëri sistemit”, shkruan ministri.
Një prej punonjëseve të policisë së burgjeve rrëfeu edhe vështirësitë e fillimit të punës në një institucion të tillë, duke theksuar se ambienti dhe situatat me të cilat përballen janë të ndryshme nga përditshmëria jashtë institucionit.
“Çdo ditë ne kemi situata edhe konflikte të ndryshme për të zgjidhur. Fillimi në këtë institucion është tepër i vështirë. Je i privuar nga ajo çfarë bën çdo ditë. Ambienti i institucionit ku ne punojmë është ndryshe nga jeta që ne hasim në përditshmëri. Kërkon përshtatje. Duhet përkushtim dhe përgjegjshmëri”, tha ajo.
Një tjetër punonjëse policie u foli për sfidën e kombinimit të profesionit me jetën familjare, duke theksuar se arrin të menaxhojë përgjegjësitë në punë dhe kujdesin për dy fëmijët e saj.
“Unë jam një nënë e dy fëmijëve, arrij të menaxhoj punën time më së miri, arrij edhe të gjej kohën e duhur duke edukuar apo plotësuar kushtet e dy fëmijëve të mi”, tha ajo.
