Tre vatra aktive dhe katër në monitorim, situata problematike në Dajt-Qafë Priskë

Nga D V
685 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Ministria e Mbrojtjes informoi sot se gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 09:00 janë raportuar 27 vatra, prej të cilave 3 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 3 janë shuar plotësisht.

Sipas MM- së në operacionet e shuarjes janë angazhuar gjithsej 292 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 80 efektivë dhe 3 helikopterë.

Vatrat kryesore aktive janë të përqendruara në qarkun Dibër: në Vajkal, Bulqizë, ku zjarri ka përshkuar mbi 18 ha dhe sot vijon ndërhyrja me MZSH, forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA; në Lundre, Mat, ku zjarri vijon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe operacioni mbështetet gjithashtu nga 30 forca të FA; si dhe në Mallunxë, Mat, ku riaktivizimi i zjarrit nga era e fortë e ka orientuar atë drejt fshatrave Mallunxë dhe Lis.

Në Dajt–Qafë Priskë situata vijon të jetë problematike, por pa rrezik për zonat e banuara; sot operacioni vazhdon me mbështetjen e 30 forcave të FA.

Nën mbikëqyrje janë gjithashtu vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz, ku kjo e fundit ndodhet në terren shumë të vështirë dhe gjatë ditës së djeshme u ndërhy edhe me helikopter të FA.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër