Dyfishim i kapaciteteve në shërbimin e hemodinamikës në spitalin “Shefqet Ndroqi”

Nga D V
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Hemodinamika në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” është rikonstruktuar tërësisht, ndërsa shërbimi tashmë disponon dy salla moderne, duke dyfishuar kapacitetet dhe krijuar mundësi për trajtimin e një numri më të madh pacientësh.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bën me dije se investimi ka përfshirë rikonstruksionin e plotë të ambienteve ekzistuese dhe krijimin e një salle të re hemodinamike, e pajisur me një aparat të ri angiografie.

Drejtoresha e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, Elisaveta Treska gjatë inspektimit të këtyre ambienteve, informoi se funksionimi i dy sallave ka nisur që prej korrikut 2026, duke rritur kapacitetin e ndërhyrjeve nga rreth 10 pacientë në ditë në rreth 16 pacientë, me mundësi për një numër edhe më të lartë.

Sipas tij, infrastruktura e re dhe pajisjet bashkëkohore krijojnë gjithashtu kushte më të mira për trajtimin e rasteve me sindromë koronare akute, pasi prania e dy sallave mundëson vijimin e ndërhyrjeve edhe në rastet kur njëra prej tyre është e zënë.

“Na lehtëson shumë për të trajtuar sindromën koronare akute, sepse në momentin që ke një sallë të zënë, është salla tjetër e lirë dhe manovrimet bëhen kur ke dy salla”, u shpreh një prej mjekëve të këtij spitali.

Përveç rritjes së kapaciteteve, aparatura e re e angiografisë mundëson edhe përmirësimin e cilësisë së imazheve gjatë koronarografisë dhe ndërhyrjeve koronare intervencionuese.

Rikonstruksioni i plotë i ambienteve dhe investimi në teknologji synojnë ofrimin e një shërbimi më të shpejtë, më të organizuar dhe me standarde bashkëkohore, duke ulur kohën e pritjes dhe duke u dhënë më shumë pacientëve mundësinë për të marrë trajtimin e nevojshëm në kohë.

Me dy sallat funksionale të hemodinamikës, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” synon të rrisë ndjeshëm numrin e ndërhyrjeve koronare dhe të përmirësojë më tej cilësinë e shërbimit të ofruar për pacientët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër