NATO riorganizon KFOR-in në Kosovë, ambasada e SHBA-së: Procesi do të bëhet në koordinim me palët

Nga D V
577 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 3 shtator, Zhurnal.mk – NATO është duke ndërmarrë një proces gradual për optimizimin e pozicionimit të forcave të KFOR-it në Kosovë, ndërsa Shtetet e Bashkuara thonë se ky proces do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë.

Për këtë çështje, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i është përgjigjur Telegrafit, duke theksuar se prioritet i Washingtonit mbetet stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“NATO aktualisht është duke ndërmarrë një optimizim të pozicionimit të forcave të misionit të KFOR-it. Procesi do të jetë gradual dhe i koordinuar ngushtë me të gjithë aktorët relevantë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë në përgjigjen për Telegrafin.

Ambasada amerikane ka theksuar se gjatë këtij procesi do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

“Presim vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë gjatë gjithë procesit të optimizimit të pozicionimit të forcave të NATO-s”, thuhet në përgjigje.

Në deklaratën për Telegrafin, SHBA-ja e ka vënë theksin edhe te rëndësia e ruajtjes së stabilitetit në rajon.

“Shtetet e Bashkuara i japin përparësi ruajtjes së stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm që siguron siguri afatgjatë për të gjitha komunitetet”, ka thënë zëdhënësi.

Deklarata vjen në kohën kur KFOR-i ka njoftuar për ndryshime në pozicionimin e forcave të tij në Kosovë, përfshirë edhe çështjen e pranisë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

KFOR-i ka bërë të qartë se vendimi për hapjen e urës për qarkullim nuk i takon këtij misioni, por Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër