Instituti i Gjeoshkencave: Rrezik i lartë për zjarre në disa qarqe

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 shtator, Zhurnal.mk – Rreziku për përhapjen e zjarreve në pyje do të jetë i lartë sot pasdite dhe gjatë ditës së nesërme në pjesën më të madhe të territorit të vendit.

Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave, nivel të lartë rreziku pritet të kenë qarqet: Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në qarqet Kukës dhe Korçë niveli i përgjithshëm i rrezikut parashikohet “I moderuar”, ndërsa në disa zona të lokalizuara rreziku pritet të jetë i lartë. Konkretisht, bëhet fjalë për verilindjen e qarkut Kukës dhe jugun e qarkut Korçë.

Instituti i Gjeoshkencave vlerëson se rreziku nga zjarret pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së shtunë, 5 shtator.

Për sa i përket kushteve meteorologjike, sot pasdite dhe nesër nuk priten reshje në të gjitha qarqet e vendit.

Temperaturat maksimale gjatë së shtunës pritet të arrijnë deri në 33 gradë Celsius në zonat bregdetare, 36 gradë në vendet e ulëta dhe 34 gradë në zonat malore. Temperaturat minimale parashikohen përkatësisht 21, 18 dhe 12 gradë Celsius.

Era do të jetë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe në zonat malore pritet të forcohet për momente.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër