Shkup, 4 shtator, Zhurnal.mk – Pas dështimit të tre përpjekjeve, apartamentet luksoze të sekuestruara të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, në Vodno, shteti tani i ofron me zbritje të konsiderueshme. Blerësit e interesuar do të mund t’i vizitojnë apartamentet më 10 shtator, ndërsa ankandi publik elektronik është caktuar për më 21 shtator.
Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar i ka ulur çmimet me rreth 200 mijë euro për apartament.
Ulja më e madhe është bërë për apartamentin me sipërfaqe prej 199 metrash katrorë. Në vend të çmimit fillestar prej 847.000 eurosh, çmimi i ri fillestar tani është 635.200 euro.
Apartamenti i dytë, i cili ka një sipërfaqe prej 155 metrash katrorë dhe më parë ofrohej për 760.000 euro, tani shitet për 569.662 euro.
Apartamenti i tretë, me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë, në vend të çmimit të mëparshëm prej 850.000 eurosh, tani ofrohet për 638.000 euro.
Ndryshe, pronat u sekuestruan pas çështjes gjyqësore “Parcelat në Vodno”, në të cilën ish-kryeministri Nikola Gruevski u dënua me nëntë vjet burg. Çështja kishte të bënte me përvetësimin e paligjshëm të 1.3 milion eurove nga donacionet e partisë dhe përdorimin e tyre për blerjen e tokës dhe ndërtimin e pasurive të paluajtshme.
