Tiranë, 4 shtator, Zhurnal.mk – Siguria publike, mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve, forcimi i marrëdhënies mes Policisë së Shtetit dhe komunitetit, si dhe lufta kundër kriminalitetit dhe trafiqeve ishin në fokus të Forumit Publik për Sigurinë të zhvilluar në Kukës, me pjesëmarrjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Gjatë Forumit, ministri Lamallari theksoi se siguria nuk mund të garantohet vetëm përmes veprimit të strukturave ligjzbatuese, por kërkon bashkëpunimin e Policisë me qytetarët, familjet, mësuesit, institucionet dhe komunitetin.
“Siguria publike nis nga komuniteti. Policia nuk mund ta garantojë e vetme sigurinë. Prania në komunitet, dëgjimi i shqetësimeve dhe reagimi në kohë janë thelbësore për të ndërtuar besimin e qytetarëve”, u shpreh ai.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua sigurisë në shkolla dhe mbrojtjes së fëmijëve. Ministri nënvizoi nevojën për më shumë prani të Policisë pranë institucioneve arsimore, veçanërisht në oraret e hyrje-daljeve të nxënësve, si dhe për një qasje të orientuar drejt parandalimit të dhunës, bullizmit, përdorimit të lëndëve narkotike dhe formave të kriminalitetit që mund të prekin të miturit.
“Prania jonë pranë shkollave nuk është thjesht prani fizike. Është prani besnike, është garancia se fëmijët tanë janë të mbrojtur dhe se çdo shqetësim i tyre do të dëgjohet. Siguria në shkollë është një mision i përbashkët i Policisë, mësuesve, prindërve, psikologëve dhe vetë komunitetit”, theksoi ministri.
Në këtë drejtim, Lamallari vuri theksin edhe te mbrojtja e të miturve në hapësirën digjitale, ndërgjegjësimi për rreziqet online dhe krijimi i një kulture ku çdo fëmijë të ndihet i sigurt për të kërkuar ndihmë.
Një tjetër temë e forumit ishte karriera në Policinë e Shtetit dhe mundësitë që ofron Akademia e Sigurisë. Ministri u bëri thirrje të rinjve të Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë të aplikojnë për t’iu bashkuar Policisë, duke theksuar se procesi duhet të udhëhiqet nga merita, shanset e barabarta, transparenca dhe integriteti. Aplikimet për “Patrullë të Përgjithshme” vijojnë deri më 18 shtator 2026, ndërsa rishikimi i kufirit të moshës për pranimin në Policinë e Shtetit synon t’u japë mundësi edhe më shumë të rinjve dhe profesionistëve për të ndërtuar një karrierë në shërbim të qytetarëve.
“Duam një Polici ku të rinjtë më të mirë të vendit të shohin një karrierë, një mision dhe një mundësi për të bërë ndryshimin. Të jesh polic do të thotë të jesh pranë njerëzve, t’i dëgjosh, t’i respektosh dhe t’i ndihmosh”, u shpreh Lamallari.
Në vëmendje ishte edhe rëndësia e veçantë e Kukësit për sigurinë kombëtare, për shkak të pozicionit kufitar. Kontrolli i territorit, lufta kundër trafiqeve dhe bashkëpunimi ndërkufitar mbeten prioritete të Policisë së Shtetit.
Ministri i Brendshwm Lamallari nwnvizon se edhe ngjarjet e fundit, përfshirë atë të ndodhur në Vlorë e Kuçovë, tregojnë rëndësinë e një Policie që reagon në kohë, që verifikon çdo informacion dhe që vepron në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e drejtësisë.
Përballë kriminalitetit dhe fenomeneve që cenojnë sigurinë, përgjigjja duhet të jetë e vendosur, ndërsa paralelisht duhet të forcohet puna parandaluese dhe prania e institucioneve në territor.
Sipas Lamallarit, “Besa” dhe “Prania Besnike” përfaqësojnë pikërisht këtë mënyrë të re të marrëdhënies së shtetit me qytetarin: të jesh aty ku është qytetari, ta dëgjosh dhe ta ndjekësh shqetësimin e tij deri në zgjidhje.
“Besa është angazhimi. Prania Besnike është mënyra se si e mbajmë atë angazhim; duke qenë pranë njerëzve, duke i dëgjuar dhe duke vepruar. Forume të tilla nuk janë vetëm për të folur, por për të marrë shqetësimet reale të qytetarëve dhe për t’i kthyer ato në përgjegjësi dhe veprime konkrete”, u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme.
