Solunska Gllava, 5 shtator Zhurnal.mk – Një goditje rrufeje në malin Jakupicë ka shkaktuar ngordhjen e 95 deleve nga tufa e një blegtori nga fshati Jabollçishtë e Epërme.
Ngjarja ka ndodhur më 2 shtator, rreth orës 19:30, gjatë motit të keq që përfshiu rajonin e Velesit. Sipas policisë, tufa ndodhej rreth 500 metra poshtë majës Solunska Gllava.
Në pjesën ku goditi rrufeja nuk ndodhej bariu dhe as pjesa më e madhe e tufës, e cila numëronte rreth 1.200 dele.
Policia njoftoi se delet e ngordhura ishin në pronësi të një 37-vjeçari nga Jabollçishta e Epërme, Komuna e Çashkës.
Pronari e ka njoftuar për rastin edhe inspektorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Në vendin e ngjarjes, në një lartësi prej rreth 2.500 metrash mbi nivelin e detit, inspektim kanë kryer një ekip i Sektorit të Punëve të Brendshme në Veles dhe një inspektor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
