Aleanca kërkon negociata të hapura me LVV-në dhe vendos gjashtë kushte për Presidentin

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 5 shtator Zhurnal.mk – Pas qëndrimit kundërshtues të gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj vendimit për të mbështetur Bekim Sejdiun si president të Kosovës, Aleanca deklaron se mund të sigurojë shtatë vota për këtë proces. Megjithatë, subjekti kërkon që të pranohen gjashtë pikat e tij strategjike dhe që bisedimet me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, të zhvillohen publikisht. Kurti nuk pranoi të shqyrtojë kushtet e Aleancës, një qëndrim që njohësit e zhvillimeve politike e kanë vlerësuar si të padobishëm.

Marrëveshja paraprake mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut parashihte që Bekim Sejdiu të ishte kandidat për presidentin e ardhshëm të Republikës. Por kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së e ka vështirësuar llogaritjen e votave në Kuvend.

Për të siguruar mbështetjen e nevojshme, Kurti mund t’i kërkojë shtatë votat e Aleancës, por kjo do të kushtëzohej me miratimin e gjashtë pikave strategjike të saj. Deri tani, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka treguar gatishmëri për t’i pranuar ato.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e ka komentuar këtë qëndrim të Kurtit, duke thënë se refuzimi i ofertës, e bërë në fillim të shtatorit pas dy muajsh pritjeje, tregon se VV-ja nuk po i kërkon shtatë votat e Aleancës. Sipas tij, kjo mund të çojë në ndëshkimin e qytetarëve, në zgjedhje të reja dhe në mungesë të kuorumit, ndërsa pranimi i gjashtë pikave do ta mbante Aleancën pjesë të Kuvendit.

Ramadani ka theksuar se Aleanca nuk e ka kundërshtuar asnjëherë takimin me kreun e VV-së, por ka kërkuar që ai të jetë i hapur dhe para kamerave.

“Ne nuk jemi organizatë lobuese, por parti politike me qëndrime politike dhe publike. Aleanca nuk e ka refuzuar takimin; përkundrazi, e ka kërkuar atë publikisht dhe para kamerave. Zoti Gjini nuk ka asgjë për të fshehur nga populli, ndërsa dikush tjetër ka dashur që takimi të mbahet i fshehtë”, ka deklaruar Burim Ramadani, deputet i Aleancës.

Deputeti i Aleancës ka shtuar se sonte përfundon edhe afati, sipas interpretimit politik të VV-së, për konstituimin e Kuvendit, ndërsa thirrjen për 9 shtator e ka cilësuar si provokim.

Analisti politik Fitim Mulolli e ka konsideruar për keqardhje refuzimin e gjashtë pikave të Aleancës nga Albin Kurti. Ai ka thënë se një qasje që do të linte hapësirë për negociata ose diskutime do të ishte më e matur dhe më konsensuale.

Sipas Mulollit, pas refuzimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, votat e Aleancës janë bërë edhe më të rëndësishme për ta shmangur vendin nga zgjedhjet e reja, ndaj përgjigjja ndaj kërkesave të saj duhej të ishte më konstruktive.

Disa ditë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri kanë vendosur të mos e zbatojnë vendimin e Kryesisë së partisë për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër