Vlerësimi online për shërbimet konsullore nis nga sot, Hoxha: Qytetarët të na tregojnë si t’i përmirësojmë

Nga Xh M
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 9 shtator Zhurnal.mk – “Ta afrojmë shtetin me qytetarin” është mesazhi me të cilin Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, prezantoi mekanizmin e ri për vlerësimin e shërbimeve konsullore nga qytetarët.

Prej sot, në çdo hapësirë ku ofrohen shërbime konsullore, pranë sporteleve ku kryhen procedurat dhe në sallat e pritjes, si edhe në Ministri, përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat shqiptare, qytetarët do të gjejnë një QR Code. Përmes skanimit të tij, ata mund të plotësojnë një formular dhe të japin vlerësimin e tyre.

Sipas Hoxhës, kjo mundëson që qytetarët të ndajnë përshtypjet për shërbimin, të ngrenë problematikat apo vërejtjet e tyre dhe të propozojnë mënyra se si procedurat mund të kryhen ndryshe, më mirë dhe më shpejt.

“Një skanim i thjeshtë do t’u japë qytetarëve mundësinë të na tregojnë përvojën e tyre me shërbimin, të evidentojnë çfarë nuk shkon dhe të na sugjerojnë se ku duhet të ndërhyjmë”, deklaroi ministri në një videomesazh.

Hoxha e përshkroi QR Code-in si një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi mes qytetarit dhe institucionit, i cili do të ndihmojë në identifikimin e mënyrave për përmirësimin e shërbimit.

“Na thoni çfarë nuk funksionon dhe na këshilloni se çfarë mund të bëjmë më mirë; ne do të punojmë për ta përmirësuar. Shërbimi konsullor nuk është vetëm një procedurë administrative, por një pikë takimi mes shtetit dhe qytetarit. Në këtë marrëdhënie, shteti duhet të jetë i shpejtë, i thjeshtë, i aksesueshëm, profesional dhe i përgjegjshëm”, u shpreh Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër