Tiranë, 9 shtator Zhurnal.mk – Mjeku Ermal Pashaj ka komentuar në News24 protestën e zhvilluar një ditë më parë, duke u ndalur te prania e shtuar e forcave të policisë, arrestimet e protestuesve dhe përdorimi i vezëve gjatë tubimit.
Pashaj tha se gjatë protestës kishte vënë re një nivel më të lartë sigurie pranë Parlamentit, ndërsa theksoi se nuk pati përdorim të gazit lotsjellës.
“Do ta shihja në një plan pak më tutje. Dje isha në pjesën e pasdites, për shkak të profesionit. Niveli i shtuar i sigurisë rreth Parlamentit binte në sy. Kam parë në rrjetet sociale një armatim të policisë. Kishte më shumë se herët e kaluara, por nuk pati përdorim të gazit lotsjellës. A është ky një element që duhet ta bëjë më të vështirë vazhdimin e protestës?! Në fund të ditës, ajo që ka rëndësi është kauza, që mendojmë se është e drejtë. Numrat më të pakët apo më të shtuar të policisë dhe të protestuesve do ta bëjnë më të vështirë arritjen e kauzës, pasi sido që të jenë numrat, kauza është fituese.”, tha ai.
Duke folur për arrestimet, mjeku u shpreh se protestuesit, sipas tij, janë shoqëruar nga policia edhe kur ndodheshin në trotuare dhe pa shfaqje dhune.
“Ndryshe nga herët e tjera, protestuesit janë arrestuar në trotuare, pa gjenezë të dhunës. Forcat e policisë kanë bërë arrestime që para 10 ditësh janë quajtur të paligjshme nga gjykata. Mundohem të mendoj narrativën e policisë. Ajo veza më shumë sesa respektin, asgjë tjetër nuk sjell. Protestues u arrestuan se kishin vezë në dorë. Veza po kthehet në precedent. S’më vjen çudi që të dalë një VKM që veza të quhet si “armë e ftohtë”.”, shtoi Pashaj.
Pashaj u shpreh se protesta do të vijojë, ndërsa komentoi edhe qëndrimin e diasporës ndaj zhvillimeve në vend.
“Njëherë Rama e shan protestën, u turrën për të sulmuar numrat. Dhe tani thonë: kemi të drejtë. Por protesta do të vijojë dhe diaspora do të na bashkohet. Diaspora vjen në shtëpinë e vet, të mençurit duhet të dalin të flasin. Zoti Rama po tenton që të marrë narrativën e protestës dhe të dalë në krye. Nuk mendoj se është i sinqertë. Hedhja e fajit te të tjerët, është e gabuar. Pa demokraci të brendshme, ti e admirojë PS e para 10 viteve, me njerëz të artikuluar. Këtë se shoh më në PS. Të gjitha mbledhjet janë transmetuar live në tv e partisë. Këtu ka nënshtrim të autoritetit të kryetarit të partisë. Administrata duhet të konsolidojë veprimet e veta.”, pohoi ai.
