Shkup, 10 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Kisella Vodës dhe kryetar i ZELS, Orce Gjorgjievski, zhvilloi një takim pune me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, ku u diskutua për bashkëpunimin mes Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë në prag të projektit “Shkup 2028 – Kryeqytet Evropian i Kulturës”.
Gjatë takimit u shqyrtuan përgatitjet për vitin 2028, hartëzimi i kapaciteteve kulturore, përmirësimi i turizmit dhe lidhja më e mirë mes institucioneve lokale dhe kombëtare. Përveç kësaj, Gjorgjievski dhe Sulejmani kryen edhe inspektim të punimeve ndërtimore për rikonstruksionin e Sallës Universale.
“Shkupi e meriton të ardhmen e tij kulturore – së bashku po e krijojmë! Sot zhvillova takim me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, ku biseduam për prioritetet e përbashkëta në kulturë dhe për forcimin e bashkëpunimit mes Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë. Para nesh është një mundësi e madhe dhe një përgjegjësi edhe më e madhe – ‘Shkup 2028 – Kryeqytet Evropian i Kulturës’. Ky vlerësim duhet të lërë vlerë të qëndrueshme për qytetin, si hapësira kulturore të rinovuara, mbështetje më të madhe për krijimtarinë dhe kulturë të qasshme për çdo qytetar”, theksoi Gjorgjievski.
Ai nënvizoi se Salla Universale pas përfundimit të aktiviteteve ndërtimore duhet t’i dorëzohet për menaxhim Qytetit të Shkupit.
“Së bashku kryem inspektim të aktiviteteve ndërtimore në Sallën Universale, e cila pas rikonstruksionit duhet t’i dorëzohet për menaxhim Qytetit të Shkupit dhe të hapë sërish dyert për artistët dhe publikun. Salla Universale është pjesë e shpirtit të Shkupit. Simbol i solidaritetit që e ngriti qytetin tonë dhe shtëpi e kujtimeve që lidhin brezat. Në të u rritën talente, jehuan duartrokitje dhe u shkruan disa nga faqet më të bukura të historisë kulturore të Shkupit. Qëllimi ynë i përbashkët është t’i rikthejmë shkëlqimin dhe rëndësinë që e meriton. Sërish të jetë vend i takimeve, emocioneve dhe ngjarjeve kulturore me të cilat do të krenohemi”, shtoi Gjorgjievski.
Sipas tij, me punë të koordinuar dhe vizion të qartë krijohen të gjitha kushtet që Shkupi ta përfaqësojë denjësisht titullin në vitin 2028.
“Me vizion të qartë, punë të koordinuar dhe përgjegjësi ndaj çdo detyrimi të marrë, krijojmë kushte që Shkupi ta mbajë denjësisht titullin në vitin 2028, ndërsa përfitimet të mbeten edhe për brezat që vijnë. Shkupi ka shpirt, ka talent dhe ka çfarë t’i tregojë Evropës!”, porositi Gjorgjievski.
