Rita Ora tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj në edicionin e pestë të “Kering Foundation Caring for Women Dinner”, eventi bamirës që u mbajt në New York dhe mblodhi emra të njohur nga bota e modës, muzikës, filmit dhe artit.
Këngëtarja shqiptare u shfaq në tapetin e zi me një fustan të gjatë të zi nga Gucci, i cili u karakterizua nga një dekolte e theksuar dhe rripa shumë të hollë që i jepnin veshjes një pamje veçanërisht elegante dhe të guximshme.
Fustani kishte një prerje të ngushtë që ndiqte linjat e trupit të saj, ndërsa materiali me shkëlqim dhe teksturë të ngjashme me lëkurën e gjarprit i shtonte dimension paraqitjes, pavarësisht se Rita zgjodhi ta mbante të gjithë kombinimin në ngjyrë të zezë.
Foto: Getty Images
Në pjesën anësore, fustani kishte një hapje që i mundësonte të zbulonte një pjesë të këmbës, ndërsa ajo e kompletoi pamjen me këpucë të zeza me majë të hapur.
Për aksesorë, Rita zgjodhi bizhuteri diamanti, përfshirë vathë të vegjël, një byzylyk dhe disa unaza. Flokët i kishte mbledhur në një stil elegant, ndërsa grimin e kishte mbajtur me sy të theksuar dhe buzë në nuancë natyrale.
Foto: Matt Baron/Shutterstock
Gjatë mbrëmjes, Rita pozoi edhe me aktoren Salma Hayek, e cila gjithashtu kishte zgjedhur një paraqitje tërësisht të zezë.
“Caring for Women Dinner” organizohet nga Kering Foundation dhe ka për qëllim mbledhjen e fondeve për organizatat që punojnë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbështetjen e të mbijetuarve.
Që prej nisjes së tij në vitin 2022, eventi është shndërruar në një prej organizimeve më të rëndësishme gjatë Javës së Modës në New York, duke mbledhur së bashku figura të njohura nga fusha të ndryshme.
Në vitin 2025, darka arriti të mbledhë më shumë se 4.5 milionë dollarë, ndërsa fondet e këtij viti do t’u dedikohen organizatave Activating Change, Fondo Semillas, JBWS dhe The New York Women’s Foundation.
Në këtë event, Rita Ora u shfaq mes emrave të njohur ndërkombëtarë, duke tërhequr vëmendjen si me paraqitjen e saj në tapetin e zi, ashtu edhe me pjesëmarrjen në një mbrëmje me një mision të rëndësishëm shoqëror.






