Saveski për “Puls”: Afatet ligjore për paraburgimin duhet të respektohen

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 shtator Zhurnal.mk – Prokurori Publik Republikan, Nenad Saveski, sot hodhi poshtë vlerësimet se gjykatat punojnë nën presion ose në shërbim të Prokurorisë Publike, duke komentuar reagimet pas vendimeve në rastet “Laskarcë” dhe rastin e ish-kryetarit të Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.

Ai theksoi se Gjykata Supreme nuk i vlerëson aktakuzat, por ligjshmërinë e vendimeve të marra nga gjykatat më të ulëta. Sa i përket rastit “Puls”, Saveski tha se afatet e paraburgimit janë të përcaktuara me ligj dhe duhet të respektohen, ndonëse, siç tha ai, prokuroria gjithmonë ka në dispozicion edhe mundësi të tjera ligjore.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me komentet e disa ish-gjyqtarëve dhe avokatëve se gjykatat e shkallës së parë marrin vendime pa i vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme provat, ndërsa më pas ato anulohen nga gjykatat më të larta, Saveski tha se vlerësime të tilla janë të gabuara.

“Unë nuk mund ta pranoj dhe absolutisht konsideroj se është përshtypje e gabuar se gjykatat i marrin vendimet nën presion, nën ndikim ose në shërbim të Prokurorisë Publike. Aktgjykimet merren në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të zbatimit të ligjeve dhe provave që përmbahen në ato lëndë”, deklaroi Saveski pas seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Lidhur me pyetjen nëse problemi në rastet “Laskarcë” dhe “Stevço Jakimovski” qëndron te aktakuzat, Saveski theksoi se Gjykata Supreme nuk i ka vlerësuar aktakuzat, por vendimet gjyqësore të marra nga instancat më të ulëta.

“Vendimet e gjykatave më të larta kanë të bëjnë me vendimet e gjykatave më të ulëta. Gjykata Supreme nuk i ka vlerësuar aktakuzat, por vendimet e gjykatës së shkallës së dytë dhe të shkallës së parë”, tha Saveski.

Duke folur për rastin “Puls” dhe mundësinë që pronari Dejan Jovanov – Deko të lirohet nga paraburgimi për shkak të skadimit të afateve ligjore, ai theksoi se paraburgimi është i rregulluar me ligj dhe se ekzistojnë afate maksimale të përcaktuara me ligj, të cilat duhet të respektohen.

“Kohëzgjatja e paraburgimit është e rregulluar me ligj dhe me afate maksimale. Në këtë rast është e sigurt se këto afate së shpejti do të shterojnë”, tha Saveski.

Ai nuk deshi të paragjykojë nëse Prokuroria Publike do të kërkojë zbatimin e masave të tjera për sigurimin e pranisë së të dyshuarit, duke theksuar se kjo është në kompetencë të prokurorëve që veprojnë në këtë lëndë.

“Po, gjithmonë ka mundësi. Nëse në këtë rast do të zbatohet ndonjëra prej këtyre mundësive, vërtet le t’ia lëmë kohës ta tregojë. Nuk do të doja të paragjykoja asgjë tani. Këto janë vendime të Prokurorisë Publike dhe, nëse shpreh qëndrimin tim lidhur me këtë çështje, mund të krijohet përshtypja se dua t’ua imponoj atë prokurorëve publikë konkretë që veprojnë në këtë lëndë. Unë nuk e dua këtë. E lë që për këtë të vlerësojnë prokurorët publikë që veprojnë në lëndën konkrete”, tha Saveski.

Lidhur me shqetësimet në opinion se pas skadimit të paraburgimit mund të paraqitet rreziku i arratisjes, Saveski përsëriti se si gjykatat, ashtu edhe prokuroria, janë të detyruara t’i respektojnë afatet ligjore, pavarësisht rrethanave për shkak të të cilave më herët është caktuar ose zgjatur paraburgimi.

I pyetur nga gazetarët nëse do të paraqesë ankesë ndaj vendimit të komisionit disiplinor në rastin që lidhet me prokurorin Jovan Cvetanovski, Saveski u përgjigj se afati për paraqitjen e ankesës tashmë ka skaduar dhe se nuk do të ndërmarrë një hap të tillë.

Ndërsa lidhur me vërejtjet se në festimin me rastin e Ditës së Pavarësisë kishte pasur një vend “nderi” pranë kryeministrit, Saveski tha se ishte ulur në vendin e përcaktuar nga protokolli qeveritar dhe se nuk konsideron se kishte pasur privilegj në raport me të ftuarit e tjerë.

“Ai ishte vendi i paraparë me protokollin e Qeverisë, e cila ishte organizatore e ngjarjes dhe aty më ishte caktuar vendi. E respektoj rendin në shtëpinë ku kam shkuar dhe aspak nuk konsideroj se jam nderuar apo privilegjuar në raport me të ftuarit e tjerë. Aty dihej saktësisht se kush ku ulet. Nuk e di pse fare është konstatuar se bëhet fjalë për vend nderi”, deklaroi Saveski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër