Prishtinë, 12 shtator Zhurnal.mk – Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte një mbledhje të jashtëzakonshme, ku është diskutuar situata politike dhe hapat që duhet të ndërmerren për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në mbledhje është vlerësuar se vendi ndodhet në një moment vendimtar për sigurimin e stabilitetit institucional dhe për shmangien e një tjetër procesi zgjedhor, i cili, sipas LVV-së, do të ishte i panevojshëm dhe i kushtueshëm për shtetin dhe qytetarët.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit është caktuar për nesër në ora 10:00.
LVV ka bërë të ditur se ka vendosur që nesër të votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.
Sipas vendimit të kryesisë së LVV-së, ky hap paraqet një shprehje vullneti të mirë dhe pritshmëria është që ai të reflektohet edhe në konstruktivitetin e PDK-së dhe LDK-së në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e LVV-së.
LVV ka rikujtuar gjithashtu situatën pas zgjedhjeve të vitit 2025, duke theksuar se si subjekt fitues, së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetët e pakicave, kishte 57 deputetë.
Sipas LVV-së, duke zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ajo kishte ndryshuar katër herë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, përpara se Dimal Basha të zgjidhej në këtë pozitë më 26 gusht, rreth pesë muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në deklaratë përmenden edhe refuzimet e mëparshme të opozitës ndaj kandidaturave të Albulena Haxhiut, Donika Gërvallës, Hekuran Muratit dhe Arbërie Nagavcit.
“E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne”, thuhet më tej.
Nga LVV kanë bërë të ditur se sapo PDK-ja ta ripropozojë nesër Vlora Çitakun për postin e nënkryetares së Kuvendit, deputetët e LVV-së do ta votojnë kandidaturën e saj.
Po ashtu, LVV ka shprehur pritshmërinë që edhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, në cilësinë e nënkryetarit të ardhshëm të Kuvendit, të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet për presidentin Bekim Sejdiu, në kuadër të marrëveshjes LVV-LDK.
Vendimi i LVV-së vjen në një moment të rëndësishëm për konstituimin e Kuvendit dhe shmangien e një tjetër cikli zgjedhor në Kosovë.
