Ankesat e sportistëve për akomodimin dhe ushqimin, Gonxhja: Panoramë e shtrembëruar, nuk e organizon ministria

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 shtator Zhurnal.mk – Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka reaguar pas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale nga disa studentë sportistë të huaj të cilët ngritën pretendime për kushte të këqija në akomodim dhe ushqim.

Pamjet u bënë virale në Instagram, të publikuara fillimisht nga sportistja e xhudos nga Lituania, Marta Navickaitė. Por sipas ministrit Gonxhja, eventi që ka sjellë në Tiranë rreth 1,600 pjesëmarrës nga 400 universitete dhe 38 vende evropiane nuk organizohet nga ministria që ai drejton.

Sipas tij, organizimi i aktivitetit që do të zgjasë nga 7 deri më 17 shtator, i takon Federatës Shqiptare të Sportit Universitar, e cila ka kërkuar mbështetje financiare nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Lidhur me pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Gonxhja thotë se ato nuk u përkasin ambienteve ku janë sistemuar pjesëmarrësit e kampionatit.

Tirana do të organizojë Kampionatin Evropian Universitar të Sporteve Luftarake, një aktivitet i përmasave të mëdha që ka sjellë në Shqipëri rreth 1,600 pjesëmarrës nga 400 universitete dhe 38 vende evropiane.

Reagimi i plotë:

Sqarojmë se pretendimet e ngritura nuk pasqyrojnë situatën reale dhe krijojnë një panoramë të shtrembëruar.

Kampionati zhvillohet në Tiranë nga 7 deri më 17 shtator 2026, me pjesëmarrjen e mbi 1,600 sportistëve dhe shoqëruesve universitarë nga rreth 400 universitete të 38 vendeve europiane, në disiplinat taekëondo, karate, xhudo dhe kickboxing.

Aktiviteti organizohet tërësisht nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar, e cila ka kërkuar një mbështetje financiare nga MTKS, që iu ofrua në shkurt 2026.

Sipas informacionit të përcjellë nga federata organizatore, Bashkia Tiranë kishte marrë përsipër dhe kishte lëshuar garanci për akomodimin e rreth 1,500 pjesëmarrësve. Kjo garanci, ka qenë pjesë e kushteve mbi të cilat EUSA miratoi zhvillimin e kampionatit në Shqipëri.

Vetëm pak ditë përpara fillimit të aktivitetit, organizatorët janë njoftuar se kapacitetet e parashikuara fillimisht nuk mund të viheshin plotësisht në dispozicion, pasi një pjesë e dhomave ishin të zëna nga studentë shqiptarë me kontrata njëvjeçare. Për të mos cenuar strehimin e tyre dhe për të garantuar vazhdimësinë normale të aktivitetit, një pjesë e delegacioneve është sistemuar në Kamëz, në ambiente të vlerësuara si më të përshtatshme.

Pavarësisht se Ministria nuk ka asnjë përgjegjësi direkte organizative apo logjistike, zëvendësministri përgjegjës për sportin ka qenë personalisht i pranishëm në momentet e mbërritjes dhe pritjes së delegacioneve, duke shprehur gatishmërinë e plotë institucionale për të ndihmuar në adresimin e çdo nevoje që mund të paraqitej.

Duhet kuptuar se aktivitete të këtyre përmasave, kudo në Europë, nuk mbështeten në standardet e hoteleve superiore. Për akomodimin e mijëra sportistëve të rinj përdoren zakonisht kampuse universitare, rezidenca studentore, hostele rinore dhe njësi ekonomike akomodimi, duke garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë, higjienës dhe funksionalitetit, edhe në funksion prakticiteti.

Imazhet e publikuara në rrjetet sociale, nuk u përkasin hapësirave ku janë sistemuar pjesëmarrësit e kampionatit. Nga verifikimet e kryera rezulton se ato mund t’u përkasin godinave të tjera të vjetra, të pabanuara e në pritje të rikonstruksionit. Paraqitja e këtyre pamjeve si ambiente ku qëndrojnë delegacionet e huaja është, për rrjedhojë, e pavërtetë dhe keqinformuese.

Në një aktivitet me mbi 1,600 pjesëmarrës, ku intervalet e zhvendosjeve e pauzave janë minimale, të pastrosh e të mirëmbash dhoma e ambiente sanitare kërkon turne e kapacitete të shtuara. Njëkohësisht, kërkohet bashkëpunim dhe respektim i rregullave edhe nga vetë përdoruesit, veçanërisht për mbetjet dhe sjelljen brenda dhomave dhe hapësirave të përbashkëta. Situata të veçuara nuk mund të paraqiten si prova të mungesës së angazhimit në të gjithë strukturën akomoduese.

Asnjë ushqim apo shërbim jashtë standardeve nuk është konstatuar nga strukturat përgjegjëse. Shërbimi i ushqimit dhe çdo element tjetër organizativ kontrollohen vazhdimisht nga organizatorët dhe ekipi ndërkombëtar i aktivitetit. Çdo mangësi apo parregullsi e evidentuar komunikohet drejtpërdrejt dhe trajtohet në kohë reale.

Përfaqësuesit e EUSA-s kanë inspektuar nga afër edhe ambientet e akomodimit, duke u njohur drejtpërdrejt me kushtet reale.

Organizatorët po punojnë për mbarëvajtjen e kampionatit, ndërsa Ministria, brenda rolit të saj ligjor dhe institucional, mbetet e gatshme për të kontribuar në adresimin e çdo nevoje që mund të kërkojë masa e zë.

Çdo problem konkret duhet të trajtohet me përgjegjësi, por nuk mund të pranohet që raste të izoluara, fotografi të paverifikuara apo ambiente që nuk përdoren nga delegacionet të shërbejnë për të cenuar një aktivitet madhor ndërkombëtar dhe imazhin e Shqipërisë si vend mikpritës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër