Prishtinë, 14 shtator, Zhurnal.mk – Partia Demokratike e Kosovës, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese rreth procesit të konstituimit të Kuvendit, përkatësisht zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të saj, raporton Ekonomia Online.
Kështu deklaroi para mediave shefi i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri.
Tahiri ka thënë se kërkesa e PDK-së përfshin çështjet që lidhen me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe ndryshimet në procedurën e votimit të tyre.
Ai ka theksuar se PDK-ja pret nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të menjëhershme, me qëllim që, sipas tij, të shmangen pasojat juridike dhe institucionale.
“Sapo e dërguam në Gjykatë Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit. Zgjedhjes së Kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshime të procedurës së votimit të nënkryetarëve”, tha ai.
Tahiri ka deklaruar se PDK-ja ka besim në punën dhe profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka kërkuar që fillimisht të vendoset masa për të parandaluar, siç tha ai, prodhimin e dëmeve dhe situatave të reja juridike e institucionale.
“Ne besojmë dhe në vazhdimësi kemi folur me respekt dhe me besim për punën, profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese. Andaj edhe sot flasim me vlerësim dhe besim dhe konsiderojmë që është i menjëhershëm, shumë e rëndësishme, që fillimisht të vendoset masa, në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata, marrëdhënie në kuptimin juridik, institucional”, tha Tahiri.
Ai ka ngritur pretendime edhe lidhur me qeverinë e zgjedhur, duke thënë se Kuvendi, sipas tij, nuk është konstituuar ligjërisht dhe se për këtë arsye mund të ketë pasoja në vendimet e institucioneve.
“Sepse edhe qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri për me e votuar qeverinë, mundet me vazhduar me marrë vendime të jashtëligjshme”, tha ai.
Tahiri ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe për vendime të tjera që i konsideron të jashtëligjshme, duke kërkuar, siç tha, kthimin e institucioneve në kornizën kushtetuese.
“Për të gjitha këto ne do t’i drejtohemi gjykatës për secilin vendim të jashtëligjshëm, në mënyrë që vendi të kthehet në binarë kushtetues dhe të respektohen institucionet, të respektohet akti më i lartë juridik i vendit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha ai.
