Bozhinovska me organet në përbërje: Konstatimet e revizionit duhet të marrin përgjigje konkrete dhe afat për realizim

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 shtator, Zhurnal.mk – Ministrja e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, sot mbajti një takim pune me organet në përbërje dhe subjektet e lidhura me Ministrinë, të dedikuar për veprimin sipas konstatimeve dhe rekomandimeve nga raportet e revizionit.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Agjencisë për Rezervat e Detyrueshme të Derivateve të Naftës – MAKORA, SHA MEPSO, SHA NOMAGAS Shkup dhe MEMO, të cilët raportuan për konstatimet nga raportet e revizionit, aktivitetet e deritanishme dhe masat e ndërmarra për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara. Fokusi i takimit ishte i qartë – çdo konstatim nga revizioni duhet të ketë përgjigje, aktivitet konkret dhe afat për realizim.

Ministrja Bozhinovska kërkoi nga drejtuesit e institucioneve dhe kompanive të prezantojnë çfarë është bërë sipas rekomandimeve të dhëna, cilat aktivitete janë në proces, cilat masa duhet ende të ndërmerren dhe në cilët afate do të realizohen.

“Raportet e revizionit nuk janë dokumente që duhet të arkivohen. Ato janë sinjal i qartë se ku institucionet duhet ta përmirësojnë punën e tyre. Nga sot insistoj që për çdo konstatim të kemi përgjigje konkrete – çfarë është ndërmarrë, çfarë mbetet të bëhet, kush është përgjegjës dhe deri kur duhet të përfundojë. Nuk do të lejojmë që rekomandimet të mbeten vetëm në letër”, theksoi ministrja Bozhinovska.

Në takim u ra dakord që institucionet dhe subjektet të veprojnë sipas rekomandimeve të Entit Shtetëror të Revizionit dhe të prezantojnë masat e ndërmarra dhe të planifikuara, me afate dhe përgjegjësi të qarta për realizimin e aktiviteteve të mbetura. Organet në përbërje informuan se tashmë janë ndërmarrë aktivitete dhe një pjesë e rekomandimeve janë implementuar, ndërsa do të punohet intensivisht për veprim të shpejtë edhe sipas të gjitha vërejtjeve të tjera. Ministria do të vendosë ndjekje sistematike të realizimit të rekomandimeve të revizionit, me raportim të rregullt për shkallën e përmbushjes.

Në këtë mënyrë do të sigurohet përgjegjësi institucionale dhe ndjekje e vazhdueshme e asaj nëse dhe në cilin afat veprohet sipas konstatimeve të përcaktuara. Ky takim është vazhdim i iniciativës së ministres Bozhinovska për forcimin e kontrollit dhe llogaridhënies në institucionet dhe kompanitë e lidhura me sektorin energjetik. Më herët, sipas kërkesës së saj, u krye revizion për punën e Ministrisë së energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, ndërsa së fundmi realizoi takim edhe me Kryerevizorin shtetëror Maksim Acevski, në të cilin u shqyrtuan raportet e revizionit, gjendjet e konstatuara dhe rekomandimet për tejkalimin e tyre.

“Qëllimi ynë nuk është vetëm të konstatojmë dobësitë, por t’i eliminojmë. Pres nga të gjithë subjektet përgjegjësi maksimale dhe përkushtim në realizimin e rekomandimeve. Do të ndjekim, do të kontrollojmë dhe do të kërkojmë rezultate. Vetëm me një qasje të tillë mund të ndërtojmë institucione që punojnë më efikas, më transparent dhe më përgjegjshëm me mjetet publike dhe resurset që menaxhojnë”, porositi Bozhinovska.

Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale do të vazhdojë me koordinim të rregullt me organet në përbërje dhe subjektet nga kompetenca e saj, me qëllim që konstatimet e revizionit të shndërrohen në masa konkrete korrigjuese, ndërsa rekomandimet – në përmirësime reale në punën. Revizioni është kontroll i punës. Reagimi pas revizionit është masë e përgjegjësisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër