Shkup, 14 shtator Zhurnal.mk – Hulumtimi mbi kohezionin social dhe përdorimi i të dhënave dhe dëshmive konkrete për krijimin e politikave publike më efektive ishin në fokus të takimit të bashkëpunimit dhe bisedës në zyrat e UN në Shkup mes përfaqësuesve Laura Fiorotto dhe Ardita Zekiri si dhe Shpend Murati, shef i Kabinetit të ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati dhe dy përfaqësues të ministrisë Sueda Bajrami dhe Xhelal Çajani.
Gjatë takimit u diskutuan qasje të reja për forcimin e kohezionit social, me theks të veçantë te përdorimi i hulumtimeve dhe të dhënave për të mbështetur politika që kontribuojnë në krijimin e bashkësive më të forta, më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente.
Një nga temat kryesore ishte SCORE Social Cohesion Survey, i cili ofron të dhëna dhe njohuri të rëndësishme për të kuptuar më mirë faktorët që ndikojnë në kohezionin social, marrëdhëniet ndërmjet bashkësive dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria.
Në takim u theksua rëndësia që rezultatet e hulumtimeve të mos mbeten vetëm në nivel të analizave, por të shndërrohen në veprime dhe politika publike konkrete. Qasja e bazuar në dëshmi mundëson që vendimmarrja institucionale të jetë më e orientuar drejt nevojave reale të qytetarëve dhe rezultateve të matshme.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për mundësi të reja bashkëpunimi dhe për mënyra se si hulumtimi mbi kohezionin social mund të përdoret për të nxitur ndryshime pozitive sociale, zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Në këtë drejtim, u vu në pah rëndësia e lidhjes së hulumtimit me veprimin, përmes një kombinimi të të dhënave, dialogut dhe politikave të bazuara në dëshmi.
Takimi shënoi një tjetër hap në drejtim të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të ekspertizës për çështjet që lidhen me kohezionin social, përfshirjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
