Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, e cilësoi marrëveshjen një zhvillim të rëndësishëm për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve mes dy vendeve.
Sipas tij, fluksi i hyrjeve dhe daljeve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është i konsiderueshëm.
“Vetëm gjatë vitit 2025, në pikat kufitare mes dy vendeve janë monitoruar rreth 4 milionë e 200 mijë persona dhe rreth 1 milionë e 300 mijë mjete”, tha Qefalia, duke theksuar se zbatimi i saj pritet të sjellë reduktim të kohës së pritjes dhe përpunimit të të dhënave në pikat kufitare, si dhe menaxhim më efikas të burimeve njerëzore të të dyja palëve.
Sipas Qefalisë, kontrollet do të kryhen vetëm në hyrje nga autoritetet e vendit të hyrjes, ndërsa marrëveshja do të forcojë edhe bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër krimit ndërkufitar.
“Do të ketë një forcim të bashkëpunimit dypalësh për goditjen e krimit ndërkufitar, pasi kontrollet kufitare do të kryhen për llogari të njëra-tjetrës”, u shpreh Qefalia.
Qefalia shtoi se se në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Xhepçisht–Trebisht, e cila aktualisht funksionon me një afat 12-orësh, parashikohet zgjatja e orarit të funksionimit, ndërsa aty do të lejohet edhe qarkullimi i mjeteve, kryesisht për lëvizjen ndërkufitare.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto deklaroi se lehtësimi i kontrolleve kufitare dhe reduktimi i kohës së pritjes kanë qenë pjesë e kërkesave të Bashkimit Evropian për rritjen e bashkëpunimit dhe heqjen e barrierave kufitare në rajon. Haxhinasto, kërkoi njëherësh edhe informacione rreth vonesës për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje mes dy vendeve.
Në përgjigje, Qefalia tha se marrëveshje të tilla kërkojnë bashkëpunimin dhe vullnetin e të dyja palëve. Sipas tij, Shqipëria e ka pasur interesimin maksimal për përfundimin e marrëveshjes, ndërsa nga pala e Maqedonisë së Veriut është bërë vetëm miratimi nga qeveria.
Projektligji u miratua me shtatë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë votë abstenim.
