Shkup, 15 shtator – Në vend të një blerjeje të sigurt, vreshtarët sivjet po kërkojnë shpëtim në rrjetet sociale. Rrushi po ofrohet direkt nga fushat me çmime që, sipas prodhuesve, janë shumë më poshtë kushteve të pritura dhe të dakorduara të blerjes. Ngjashëm ka ndodhur me të gjithë frutat dhe perimet sivjet në Maqedoninë e Veriut. Çmimet ishin të ulëta e shpenzimet shumë të larta, prandaj pikërisht për këtë arsye, bujqit vendosin t’i lënë arat të pambjellura dhe të ikin drejt Evropës. Shteti gjithmonë i zënë në befasi, e nuk ka asnjë strategji për bujqësinë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Çmimet e prodhimeve vendase nuk i mbulojën shpenzimet!
Shumë bujq nuk kanë më forcë për të vazhduar dhe sivjet mund të jetë vjelja e tyre e fundit. Imazhi i vreshtave në Maqedoninë e Veriut këtë vit po largohet gjithnjë e më shumë nga pikat e blerjes në rrjetet sociale. Në vend të blerjes së organizuar dhe vendosjes së çmimit të sigurtë nga shteti, vreshtarët po publikojnë reklama duke kërkuar blerës për prodhimin e tyre, vetëm që ai të mos dështojë.
Çmimi për një kilogram rrush të zi shitet për vetëm 8 denarë për kilogram, ndërsa dhjetë vjet më parë rrushi shitej 15-16 denarë. Ndërkaq, nëse prodhuesi e shet me çmim prej tetë denarëve, në tregun me pakicë shitet 80 denarë. Kjo nuk ka kuptim dhe ky është një tregues se shteti nuk ka kontroll aspak në treg. Pyetja që shtrohet është se ku mbaron vlera e punës së vreshtarit dhe kush fiton nga produkti i tij.
Fermerët po i lënë vreshtat që i kanë ndërtuar me punë të palodhur, vuajtje dhe me burimet e tyre, dhe fatkeqësisht po ikin jashtë shtetit për të punuar si punëtor krahu.
Ndryshe nga disa vende evropiane, në vendin tonë edhe plantacionet më të mëdha nuk garantojnë të ardhura të mira. Për krahasim, në Itali, edhe me vreshta shumë më të vogla mund të jetohet mirë. Në Maqedoninë e Veriut, as prodhuesit me 50 dekarë vreshta nuk mund t’i mbulojnë kostot e tyre.
Lamtumirë bujqësi!
Fatkeqësisht, bujqit lihen të kujdesen vetë për veten e tyre dhe askujt nuk i intereson se përse na dështon sektori i bujqësisë.
Për vreshtarët, pas çdo kilogrami qëndron një vit i tërë pune – nga përpunimi dhe mbrojtja e vreshtit deri te vjelja. Dhe kur nuk ka blerës ose kur çmimi nuk i mbulon kostot dhe pritjet e prodhuesit, lind pyetja nëse ia vlen të vazhdohet fare.
Mesazhi më i fortë është pikërisht se njerëzit që kanë mirëmbajtur vreshtat për vite me radhë tashmë po mendojnë t’i thonë “lamtumirë” vreshtarisë.
Aktualisht deri në 90 përqind e rrushit nuk është vjelur ende nga vreshtat. Veraritë nuk po e marrin përsipër prodhimin dhe blerja po bëhet në një shkallë shumë më të vogël se sa pritej. Prodhuesit kanë investuar në përgatitje, përpunim dhe punë, dhe tani përballen me pyetjen se çfarë të bëjnë me rrushin, të cilin nuk kanë ku ta shesin.
Andaj kërkohet një reagim i menjëhershëm nga institucionet dhe masa konkrete që do të mundësojnë blerjen dhe do të parandalojnë dështimin e të korrave. Rrushi nuk po blihet këtë vit dhe po kalbet në fusha.
Pakënaqësia tek prodhuesit është e madhe. Problemi me çmimin dhe plasmanin e rrushit ka vite që vazhdon, dhe shteti nuk ka arritur të ofrojë një zgjidhje të përhershme.
Çmimi ka qenë i njëjtë për pesëdhjetë vjet dhe deri më tani askush nuk ka arritur ta ndryshojë situatën. Për shkak të kësaj, vreshtarët po i shesin vreshtat e tyre dhe po largohen nga vendi. Kërkohet blerje e sigurtë, subvencione shtesë dhe një plan konkret për të shpëtuar të korrat e këtij viti.
Nëse nuk ka treg të besueshëm dhe blerje në kohë, për bujqit do të jetë gjithnjë e më e vështirë për ta që të vazhdojnë të mirëmbajnë vreshtat e tyre. Shumë bujq mendojnë të heqin dorë nga bujqësia, sepse nuk e shohin justifikimin ekonomik në prodhim për të cilin në fund të fundit nuk ka blerës të besueshëm.
Shteti duhet të jetë i vetëdijshëm se bujqësia, prodhimi vendas i ushqimit është bazë për stabilitet, sidomos në këto kohë të krizave. Tani kur çmimet e naftës janë rritur dukshëm, çmimet e plehrave artificialë dhe pesticideve janë rritur ekstremisht shumë, shteti duhet që të jetë mbështetës i sektorit të bujqësisë. Gjithkund në botë bujqësia subvencionohet, prandaj nëvojitet që edhe tek ne të ketë plan të qartë që ky sektor i rëndësishëm mos të dështojë, shkruan “Zhurnal.mk”.
