Shkup, 14 shtator, Zhurnal.mk – Zgjerimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe investimet masive në infrastrukturën e saj tashmë po ndikojnë ndjeshëm në mjedisin ekonomik global. Ekonomitë e zhvilluara janë të parat që përfitojnë, falë sektorëve të tyre të mëdhenj të shërbimeve, ndërsa vendet në zhvillim përballen me një perspektivë më të përzier Fatkeqësisht Maqedonia e Veriut, si gjithmonë është në “bishtin” e çdo zhvillimi ndërkombëtar dhe prandaj edhe kësaj radhe jemi larg hapave që i ndërmerr bota për të forcuar teknologjinë, intelegjencën artificiale dhe digjitalizimin, shkruan “Zhurnal.mk”.
Një trilion dollarë amerikanë në inteligjencën artificiale
Sipas vlerësimeve të Bankës për Zgjidhje Ndërkombëtare (BIS), pesë gjigantët më të mëdhenj të teknologjisë në botë do të investojnë më shumë se një trilion dollarë amerikanë në inteligjencën artificiale midis viteve 2025 dhe 2026. Parashikimet e industrisë sugjerojnë më tej se investimet globale në këtë teknologji mund të rriten nga 500 miliardë dollarët aktualë në deri në katër trilionë dollarë deri në vitin 2030.
Megjithëse inteligjenca artificiale nuk i ndryshon drejtpërdrejt mandatet e bankave qendrore, ajo e ndërlikon ndjeshëm interpretimin dhe kuptimin e saktë të flukseve ekonomike.
Inteligjenca artificiale tashmë po ndryshon rrënjësisht rrjedhat globale të tregtisë. Ekonomitë që janë të lidhura ngushtë me zinxhirin e furnizimit me teknologji, si Koreja e Jugut, Singapori, Malajzia dhe Tajvani, po korrin fitime të mëdha nga çmimet e larta të eksportit për çipat dhe pajisjet.
Sa i përket produktivitetit, hulumtimet tregojnë se IA gjeneruese sjell përmirësime të konsiderueshme nga 10 deri në 65 përqind në detyra specifike, veçanërisht në programim, konsulencë dhe shkrim profesional.
Ndikimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të varet nga vendimet e politikave, investimet në aftësi të reja dhe mënyra se si shpërndahen përfitimet.
Cilat ekonomi përfitojnë më shumë!
Ekonomitë e zhvilluara janë të parat që përfitojnë, falë sektorëve të tyre të mëdhenj të shërbimeve, ndërsa vendet në zhvillim përballen me një perspektivë më të përzier.
Ekonomitë dhe sektori i avancuar teknologjik, financiar dhe i shërbimeve dixhitale janë përfituesit më të mëdhenj të Inteligjencës Artificiale (IA), e cila parashikohet të shtojë triliona dollarë në ekonominë globale.
Në mesin e sektorëve ekonomik, më së shumti përfiton sektori financiar, ku bëhe më shpejt përpunimi i kredive dhe analiza e rrezikut, si dhe është më i zhpejtë zbulimi në kohë reale i mashtrimeve dhe pastrimit të parave.
Me IA përfiton teknologjia dhe shërbimet e Informacionit, ku krijohen softuerë dhe bëhet optimizimi i kodimit. Ndërkaq, në kujdesin shëndetësor dhe farmaceutika, analizat e imazheve mjekësore kanë saktësi të lartë dhe mundësohet zbulimi më i shpejtë i ilaçeve të reja.
Përveç rritjes së efikasitetit, inteligjenca artificiale po zëvendëson gjithnjë e më shumë detyrat rutinë njohëse. Ndërsa humbjet e vendeve të punës kanë qenë të kufizuara deri më tani, ato janë të dukshme në mbështetjen e klientëve, administrimin dhe programimin, duke e bërë rikualifikimin e punëtorëve thelbësor.
Në çfarë niveli është IA në Maqedoninë e Veriut?
Zbatimi i Inteligjencës Artificiale (AI) në Maqedoninë e Veriut është në fazë zhvillimi aktiv, me hapa të rëndësishëm në infrastrukturë, por me sfida në rregullim dhe përdorim të përgjithshëm.
Në qershor të vitit 2026, vendi themeloi Qendrën e parë Kombëtare për Inteligjencë Artificiale të quajtur “Vezilka”. Ky projekt synon zhvillimin e zgjidhjeve në shëndetësi, energji, bujqësi dhe administratë publike, si dhe lidhjen me fabrikën evropiane të AI “Faros” në Greqi.
Maqedonia e Veriut ende nuk ka një kornizë të plotë ligjore ose rregullatore specifike për AI, duke mbetur prapa standardeve të Bashkimit Evropian.
Sipas vlerësimeve publike, njohuritë digjitale dhe përdorimi i përditshëm i AI nga qytetarët mbeten relativisht të ulëta për shkak të mungesës së edukimit digjital.
Në krahasim me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut pozicionohet në në nivel mesatar-të ulët sa i përket zhvillimit, strategjisë dhe gatishmërisë për Inteligjencën Artificiale.
Udhëheqësi Rajonal është Serbia, e cila ka një Strategji Kombëtare të plotë për IA (2025-2030), infrastrukturë superkompjuterike dhe investime të larta shtetërore. Nivel Mesatar kanë Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë bërë hapa më të shpejtë në adaptimin e ligjeve dhe kornizave rregullatore në përputhje me Aktin e IA të Bashkimit Evropian.
Maqedonia e Veriut udhëheq në sektorin e startup-eve private të teknologjisë, por ka ngecje në kornizën ligjore dhe strategjinë qeveritare krahasuar me Serbinë apo Shqipërinë.
Ndërkaq, Kosova dhe Bosnja përballen me barriera më të mëdha administrative ose strukturore për të krijuar një strategji të unifikuar kombëtare.
Maqedonisë së Veriut po i ikin ekspertët më të mirë të teknologjisë
Përderisa BE ka vendosur rregullat e rrepta përmes EU AI Act dhe fqinjët po nxitojnë t’i adaptojnë ato, Maqedonia e Veriut ende nuk ka një kornizë të plotë ligjore të miratuar për sigurinë dhe etikën e IA.
Sipas të dhënave të Eurostat mbi përdorimin e teknologjisë, përqindja e qytetarëve dhe bizneseve tradicionale në Maqedoninë e Veriut që integrojnë IA në përditshmëri mbetet më e ulët se mesatarja e vendeve të rajonit.
Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut mbetet prapa në fushën e Inteligjencës Artificiale kryesisht për shkak të jostabilitetit politik, ikjes së trurit, buxhetit të pamjaftueshëm shtetëror dhe arsimit të vonuar. Ekspertët më të mirë të teknologjisë, programuesit dhe inxhinierët e të dhënave largohen nga vendi për paga dhe kushte më të mira në Bashkimin Evropian ose Shtetet e Bashkuara.
Shkollat dhe universitetet publike nuk kanë programe moderne që mësojnë inteligjencën artificiale që në moshat e hershme apo në nivelet akademike, ndërkaq sektori publik vuan nga burokracia e tepruar dhe rezistenca ndaj ndryshimeve, gjë që e bën digjitalizimin e shërbimeve shtetërore shumë të ngadaltë, shkruan “Zhurnal.mk”.
