Mbrojtësi kosovar Ron Raçi po vazhdon shkëlqimin e tij në elitën e futbollit kroat me gjigantin Hajduk Split.
Reprezentuesi dardan ishte njëri ndër më meritorët për fitoren minimale 1-0 të Hajdukut në shtëpi ndaj Slaven Belupos.
Raçi ishte një ‘mur i pakalueshëm’ në mbrojtje, duke ndihmuar që skuadra e tij ta ruajë avantazhin që e kishte krijuar qysh në minutën e 22-të.
Për këtë paraqitje të tij fantastike, 23-vjeçari ishte vlerësuar si njëri ndër lojtarët më të dalluar të ndeshjes me notën 7.4 nga Sofascore.
Kjo në fund bëri që Raçi të përfshihej gjithashtu edhe në formacionin më të mirë të javës në Kroaci.
Raçi kompletoi 89 pasime me një saktësi prej 92 për qind, pati katër spastrime të topit, katër rikuperime si dhe dy duele të fituara.
Për yllin e Kosovës kjo ishte ndeshja e tij e tretë këtë edicion me fanellën e Hajdukut dhe që të gjitha i ka luajtur si titullar.
