Prishtinë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit në mekanizmat ndërkombëtarë të tregtisë. Kërkesa e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) për anëtarësim në sistemin ndërkombëtar ATA Carnet është miratuar zyrtarisht nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC).
OEK e ka cilësuar këtë zhvillim si një “hap historik për Kosovën dhe biznesin kosovar”, duke theksuar se përfshirja në këtë sistem do të lehtësojë lëvizjen e përkohshme të mallrave, pajisjeve dhe produkteve përtej kufijve.
“Përfshirja në sistemin ATA Carnet krijon mundësi të reja dhe lehtëson ndjeshëm procedurat për kompanitë dhe institucionet kosovare që kanë nevojë të lëvizin përkohësisht mallra, pajisje dhe produkte përtej kufijve”, thuhet në njoftimin e OEK-së.
Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, bizneset do të mund të përfitojnë nga procedura më të thjeshta doganore, ulje të kostove dhe kursim të kohës.
“Përmes këtij sistemi, bizneset kosovare do të kenë mundësi të përfitojnë nga procedura më të lehta doganore, ulje të kostove dhe kursim të kohës, duke e bërë lëvizjen ndërkombëtare të mallrave më të thjeshtë dhe më efikase”, thekson OEK.
Sistemi ATA Carnet pritet të jetë veçanërisht i dobishëm për kompanitë që marrin pjesë në panaire, ekspozita dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare, pasi mundëson transportin e përkohshëm të mallrave dhe pajisjeve përtej kufijve me procedura më të lehtësuara.
OEK vlerëson se ky zhvillim përbën një hap konkret drejt integrimit më të thellë të Kosovës në tregtinë ndërkombëtare dhe reduktimit të barrierave për bizneset.
“Anëtarësimi në ATA Carnet përbën një hap konkret drejt integrimit më të thellë të Kosovës në tregtinë ndërkombëtare, reduktimit të barrierave për bizneset dhe krijimit të kushteve më të barabarta për kompanitë kosovare në raport me bizneset e rajonit dhe Evropës”, thuhet në komunikatë.
Sipas OEK-së, për vite me radhë bizneset kosovare janë përballur me procedura dhe barriera që nuk i kanë pasur kompanitë e vendeve të tjera të rajonit dhe Evropës.
“Me përfshirjen në sistemin ATA Carnet, koha e trajtimit ndryshe të kompanive kosovare po kalon”, shprehet OEK.
Oda Ekonomike e Kosovës e konsideron përfshirjen në sistemin ATA Carnet si një arritje të rëndësishme në procesin e ndërkombëtarizimit të ekonomisë së vendit.
“Kosova po bëhet pjesë e një sistemi që e bën tregtinë më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më konkurruese”, thuhet në fund të komunikatës.
OEK ka bërë të ditur se do të vazhdojë punën për t’i afruar bizneset kosovare me tregjet evropiane dhe globale.
