Klubit të njohur anglez i ndalohet transferimi i yllit të Man Utd që cilësohet si “Messi i ri”

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Manchester United mund të humbasë një prej talenteve më të mëdha të akademisë, pasi 15-vjeçari JJ Gabriel po kërkon të largohet nga klubi pas një zhvillimi të papritur këtë javë.

Gabriel, i cili është pagëzuar me nofkën “Messi i vogël”, pritej të bëhej lojtari më i ri në histori të Manchester Unitedit që do të debutonte me ekipin e parë, në ndeshjen e Carabao Cup ndaj Brightonit të mërkurën mbrëma.

Megjithatë, situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Talenti anglez raportohet se ka kërkuar anulimin e regjistrimit të tij te United me efekt të menjëhershëm, duke hapur rrugën për një largim nga “Old Trafford”.

Interesimi për Gabriel është i madh, me disa klube që po monitorojnë situatën e tij. Mes tyre janë Real Madridi dhe Barcelona, ndërsa interesim kanë shfaqur edhe Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich.

15-vjeçari shpreson që kontrata e tij me Manchester Unitedin të ndërpritet, në mënyrë që të mund të transferohet te një klub jashtë Anglisë sapo të mbushë 16 vjeç, më 6 tetor.

Edhe Chelsea dhe Arsenali janë të interesuar për të, por “Blutë” e Londrës aktualisht janë të penguar nga një dënim që ua ndalon regjistrimin e lojtarëve të rinj të akademisë.

Chelsea u dënua në mars me një ndalim në transferimet e akademisë për nëntë muaj, si dhe me një gjobë prej 750 mijë funteve, për shkelje në regjistrimin e futbollistëve të akademisë gjatë periudhës 2019-2022, kur pronar ishte Roman Abramovich.

Kjo do të thotë se Chelsea nuk mund të regjistrojë lojtarë të rinj të akademisë deri në fund të vitit, çka e komplikon një transferim të mundshëm të Gabrielit.

Në anën tjetër, burime pranë Manchester Unitedit insistojnë se klubi nuk ka ndërmend ta lirojë talentin nga regjistrimi, i cili është i vlefshëm deri në fund të sezonit.

Nëse United nuk e ndryshon qëndrimin, Chelsea do ta ketë të pamundur ta transferojë Gabrielin, ndërsa gara për talentin e cilësuar si “Messi i vogël” pritet të bëhet edhe më interesante në muajt e ardhshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër