Pas vendimit të Hagës vjen reagimi i BE-së: Palët të tregojnë përmbajtje

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, një zëdhënës i BE-së tha se BE-ja e merr në dijeni aktgjykimin e sotëm dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të procedurave gjyqësore në mënyrë të pavarur.

“BE-ja ka marrë në dijeni aktgjykimin e sotëm të shkallës së parë në rastin e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Sipas zëdhënësit, Dhomat e Specializuara të Kosovës po e zhvillojnë procesin gjyqësor mbi bazën e përgjegjësisë individuale penale.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

BE-ja ka rikujtuar se të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë vendimin.

“Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një trup gjykues të veçantë të Apelit”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së për Telegrafin.

Në deklaratë, BE-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve dhe akterëve në Kosovë dhe rajon që të tregojnë përmbajtje.

“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe akterëve, në Kosovë dhe në rajon, për përmbajtje. Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta zbatojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje”, kanë deklaruar nga BE.

Zëdhënësi i BE-së tutje ka theksuar se drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat.

BE-ja ka theksuar gjithashtu përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës për sigurinë.

“Autoritetet kanë përgjegjësinë të sigurojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në mbarë Kosovën.”

Në fund, BE-ja ka rikujtuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se ato janë themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015.

“Puna e tyre është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies dhe dhënien e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës, duke kontribuuar kështu në pajtim”, ka theksuar BE.

BE-ja ka kërkuar që të ruhet një mjedis pa frikës dhe hakmarrje, si dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër