Shkup, 17 shtator, Zhurnal.mk – Dje në Hagë u dha një vendim që tronditi mbarë kombin shqiptar. Ish‑krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me burg të gjatë, duke sjellë dëshpërim dhe zhgënjim te shqiptarët anekënd botës. Ky dënim erdhi në një moment kur entuziazmi dhe organizimi mbarëkombëtar ishin në gjendje gatishmërie për të pritur lajmin e pafajësisë. Në vend të lirimit, gjykata shpalli fajëtor. Opinionistë të ndryshëm e cilësuan vendimin të padrejtë, të pabazuar në fakte dhe dëshmi konkrete, duke u mbështetur vetëm në deklarime të paqarta. Por çfarë pritet pas këtij vendimi? shkruan Zhurnal.
Dje ishte dita më e rëndë për shqiptarët që pas pavarësisë së Kosovës
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e Hashim Thaçit me 25 vite burg, Jakup Krasniqit me 25 vite, Kadri Veselit me 18 vite dhe Rexhep Selimit me 13 vite, u përjetua si një goditje e rëndë për popullin shqiptar. Këto figura nuk janë thjesht individë, por simbol i luftës për liri dhe pavarësi.
Shqiptarët e morën këtë vendim me mllef dhe dëshpërim. Në rrugët e Prishtinës, në Tiranë, Shkup e diasporë, ndjenja e padrejtësisë u shndërrua në revoltë morale. Për shumëkënd, kjo ishte dita më e rëndë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës sepse u ndëshkuan ata që udhëhoqën betejën për liri.
Ky vendim nuk kalon pa pasoja të thella politike dhe historike. Pasi rihapen plagët e së kaluarës dhe ngre pikëpyetje mbi drejtësinë ndërkombëtare, e cila shpesh duket se gjykon me standarde të dyfishta.
Çfarë pritet tutje të ndodhë?
Avokati i Hashim Thaçit, Richard Prosper, propozoi që Kuvendi i Kosovës të mblidhet dhe të kërkojë shfuqizimin e Gjykatës Speciale të Kosovës. Ky propozim ka hapur një debat të gjerë politik dhe juridik, sepse ekzistenca e kësaj gjykate është e lidhur me marrëveshje ndërkombëtare dhe me presionin e faktorit ndërkombëtar.
Shpresa tjetër mbetet në apel. Përkrahësit e ish‑krerëve të UÇK‑së e shohin si precedent rastin e Ante Gotovinës në Kroaci, i cili fillimisht u dënua nga Haga, por më pas u shpall i pafajshëm në shkallën e Apelit. Ky shembull ushqen pritshmëritë se edhe në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, Apeli mund të sjellë një kthesë të madhe.
Megjithatë, procesi nuk do të jetë i lehtë. Nevojitet mobilizim i fuqishëm i mbrojtjes, presion diplomatik dhe një angazhim të gjerë politik e shoqëror. Shqiptarët presin që e vërteta të dalë në pah dhe që historia e luftës së UÇK‑së të mos njolloset nga vendime që nuk pasqyrojnë realitetin e asaj kohe.
Kujtojmë që, vendimi i djeshëm i Hagës nuk është fundi i betejës por është një kapitull i dhimbshëm, por jo përfundimtar. Populli shqiptar e sheh këtë si një padrejtësi historike, por shpresa mbetet gjallë se Apeli do të sjellë drejtësi. Lufta e UÇK‑së ishte luftë për liri, dhe kjo e vërtetë nuk mund të rishkruhet. /Zhurnal.mk
