Editorial / Çfarë do të thotë sistemi i vetëm i harmonizuar i pagave!

Nga I.A
42 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 shtator – Qeveria e Maqedonisë së Veriut po fillon të përgatisë modelin për një sistem të vetëm dhe të harmonizuar të pagave në sektorin public. Për këtë qëllim ka angazhuar ndihmën e ekspertëve nga Greqia përmes programit evropian TAIEX. Por çfarë do të thotë kjo për të punësuarit në administratë, a do të ketë rritje të pagave dhe a do të përmirëoshet hendeku dhe pabarazia e rrogave që ekziston ndërmjet institucioneve të njëjta shtetërore, shkruan “Zhurnal.mk”.

Me ndihmën e grekëve do të barazohen pagat në sektorin publik

Pas formulimit burokratik “një sistem i vetëm dhe i harmonizuar i pagave në sektorin publik” qëndron një reformë që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si shpenzohen paratë publike – domethënë, para që vijnë kryesisht nga taksat dhe kontributet e paguara nga qytetarët dhe kompanitë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po fillon të përgatisë modelin për një sistem të tillë me ndihmën e ekspertëve nga Greqia përmes programit evropian TAIEX. Qëllimi është që modeli grek të shërbejë si shembull për krijimin e një kuadri të centralizuar, të harmonizuar dhe të dixhitalizuar për pagat në sektorin public.

Aktualisht sektori publik nuk funksionon si një kompani e madhe në të cilën të gjitha vendet e punës i nënshtrohen të njëjtave rregullave për përcaktimin e pagës. Institucione dhe kategori të ndryshme punonjësish mbulohen nga ligje, marrëveshje kolektive, koeficientë dhe rregulla të ndryshme.

Prandaj, një nga qëllimet thelbësore të reformës është krijimi i një kuadri të përbashkët brenda të cilit do të jetë më e lehtë të krahasohet se çfarë do të thotë një pozicion pune në një institucion me një pozicion pune të ngjashëm ose identik në një institucion tjetër.

Maqedonia e Veriut synon harmonizimin e pagave

Agjenda e reformave të Maqedonisë së Veriut parashikon konkretisht harmonizimin e sistemeve të pagave dhe klasifikimeve të vendeve të punës, me qëllim që pagat të lidhen më ngushtë me përgjegjësitë dhe ekspertizën e kërkuar për një punë të caktuar.

Kjo duhet të nënkuptojë, për shembull, që nëse dy persona kryejnë një punë me përgjegjësi, kushte dhe ekspertizë të krahasueshme, sistemi ka rregulla të qarta sipas të cilave përcaktohet paga e tyre, pavarësisht se në cilin institucion janë të punësuar.

Çdo pagë në sektorin publik është një shpenzim buxhetor. Kjo do të thotë që kur shteti paguan një pagë, ai shpenzon fonde publike – para të mbledhura përmes taksave, kontributeve dhe të ardhurave të tjera publike.

Prandaj, qytetarët kanë interes të dinë jo vetëm se sa shpenzohet për paga në total , por edhe sipas rregullave shpërndahen këto para .

Sistemi i vetëm duhet ta bëjë më të lehtë ndjekjen e numrit të njerëzve që janë të punësuar, në cilat vende pune, në cilat institucione dhe sa i kushton buxhetit publik angazhimi i tyre.

Një kuadër i harmonizuar nuk do të thotë që të gjithë nëpunësit civilë do të kenë të njëjtën pagë. Përkundrazi, paga duhet të varet nga kompleksiteti i punës, përgjegjësia, ekspertiza, përvoja dhe kritere të tjera të paracaktuara.

Praktikisht, shteti dëshiron të ketë një mënyrë më të sistematizuar të futjes dhe përpunimit të të dhënave në lidhje me punonjësit, vendet e tyre të punës, pagat, shpërblimet dhe elementët e tjerë të pagesës.

Greqia përdoret si shembull pikërisht sepse ka një Autoritet të Vetëm Pagesor përmes të cilit përpunohen pagesat dhe të dhënat që lidhen me kompensimin e nëpunësve publikë. Sistemi grek përpunon elektronikisht të dhënat mbi punonjësit, kompensimin e tyre, mbajtjet dhe pagën neto.

Avancimet do të bëhën jo më sipas librezës partiake

Në Agjendën e Reformave, reforma e administratës publike është e lidhur me efikasitet, transparencë dhe llogaridhënie më të madhe, ndërsa reformat e financave publike synojnë qëndrueshmëri fiskale dhe menaxhim më të mirë të burimeve publike.

Me fjalë të tjera, shteti duhet të ketë një pamje më të mirë se sa njerëz paguan, për çfarë pune dhe sa i kushton buxhetit kjo punë.

Nëse vendet e punës klasifikohen sipas kritereve të përbashkëta dhe pagat lidhen me këto klasifikime, është më e lehtë të kuptohet pse një punë ka një nivel të caktuar page dhe çfarë duhet të përmbushet për avancim. Kjo mund të zvogëlojë varësinë nga institucioni në të cilin dikush është i punësuar ose cilat rregulla specifike zbatohen vetëm atje.

Reforma që po përgatitet aktualisht nuk do të thotë që me një lëvizje të vetme të gjitha pagat në sektorin publik do të rriten ose ulen.

Qëllimi kryesor është të ngrihet sistemi me anë të të cilit do të përcaktohen pagat. Vetëm atëherë, bazuar në rregullat e reja, mund të përcaktohen pagat specifike dhe përshtatja e tyre.

Prandaj, reforma e pagave nuk duhet parë vetëm si një ndryshim administrativ. Ajo është pjesë e një procesi më të gjerë në të cilin Maqedonia e Veriut duhet të tregojë se ka kontroll më të mirë mbi paratë publike dhe një administratë publike më efikase, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër