Spahia: Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, skemë për të grabitur fondet për pacientët

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh kryetar i komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Bardh Spahia, zhvilloi sot interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, në lidhje me krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësor.

Sipas Spahisë, qytetarët shqiptarë e provojnë çdo ditë në kurrizin e tyre peshën e korrupsionit, të paaftësisë dhe të papërgjegjshmërisë së kësaj qeverisje.

Spahia theksoi se “qytetarët paguajnë mbi 60% shpenzime për shëndetësinë direkt nga xhepi”, teksa shtoi se “ministrat e shëndetësisë ikin e vijnë pa lënë asnjë gjurmë, pa mbajtur asnjë përgjegjësi, si konfirmim i faktit se sistemi shëndetësor shqiptar është rrënuar plotësisht dhe nuk ka aspak në fokus shëndetin dhe jetën e pacientit, por shikohet vetëm si mall për të grabitur milionat e eurove të taksapaguesve shqiptarë”, tha ai.

Sipas tij, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, nuk është asgjë tjetër, përveçse një mënyrë e re për të grabitur qindra miliona euro të destinuara për pacientët shqiptarë.

“E krijuat këtë agjenci në mungesë të plotë llogaridhënie dhe transparence, pa sqaruar aspak se si kompetencat që janë sot të ndara midis disa institucioneve me krijimin e këtij operatori do të centralizohen duke u bërë njëkohësisht blerës, depo qendrore, operator logjistik, administrator i rezervave, si dhe duke i dhënë kompetenca për të krijuar dhe kompani të tjera bija”, tha ai.

Spahia tha se “kjo ngre pyetje serioze juridike përtej kalimit apo mbivendosjes së kompetencave që ligji u ka dhënë institucioneve si Ministrisë së Shëndetësisë, FSDKSH-ja, OPM-ja dhe operatorit të blerjeve të përqendruara”.

Ai shtoi se është e papranueshme që sistemi shëndetësor të funksionojë mbi një model ku blerja, magazinimi, logjistika, furnizimi dhe administrimi i shërbimeve jetike përqendrohen në një dorë të vetme.

“Kjo që po bëni ju sot nuk gjendet në asnjë vend tjetër të Bashkimit Europian. Ndaj, Ministria e Shëndetësisë do të duhet të sqarojë urgjentisht bazën ligjore, kompetencat, fondet dhe mekanizmat e kontrollit që do të ketë kjo megastrukturë”, tha ai.

Gjithashtu, tha Spahiu, ministrja “sot do t’ju përgjigjet shqiptarëve për të gjitha premtimet boshe që ish-parardhësja e saj ka bërë në fillim të vitit për shërbimin onkologjik, ndërkohë që situata sot vazhdon të paraqitet dramatike në rang kombëtar”.

“Aktualisht ka ende mungesa dhe akses të kufizuar në shërbime bazë, diagnostikuese dhe terapeutike për pacientët onkologjikë, si PET skaneri, akselerator linear dhe brakiterapia. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar publikisht se PET skaner dhe brakiterapia do të ofrohen brenda vitit 2026”, tha ai.

Sipas tij, po krijohen “skema korruptive për të grabitur miliona euro, ndërkohë që shqiptarët vdesin nga babëzia juaj”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër