“Prishtina 2026” panairi që bashkon bizneset, përmendet edhe vendimi i Hagës

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2026”, në të cilin po prezantohen produkte dhe shërbime nga biznese vendore dhe ndërkombëtare. Në hapje të panairit, përveç rëndësisë së bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të partneriteteve të reja, u diskutua edhe për vendimin e djeshëm të Gjykatës Speciale në Hagë, raporton Ekonomia Online.

Në hapje të panairit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se ngjarje të tilla janë të rëndësishme për të parë nga afër potencialin e prodhuesve dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me tregjet evropiane

“Ky panair na mundëson që të shohim që mbas çdo produkti ka një investim shumë të madh, ka një inovacion, po ka edhe një dëshirë për të arritur më shumë. Dhe duke pasur parasysh që ekonomia jonë, siç e dimë primaer, ka integrimin në Bashkimin Evropian, pikërisht për këtë shërben edhe panairi, që të gjejmë partnerë, prodhues-konsumator, biznes për biznes, po edhe tregun kosovar me tregun evropian dhe pse jo edhe më larg. Sot do të kemi mundësi t’i shohim të gjitha prodhimet tona, kemi mundësi të shohim se çka kemi në plan që ta zhvillojmë tutje, se ekonomia jonë po rritet dhe një shtet i fortë është vetëm kur e ka një ekonomi të fortë. Prandaj, faleminderit shumë dhe suksese që në këtë panair të gjeni partnerë, të gjeni kontrata të reja, po pse jo, pse mos të gjeni edhe tregje të reja“, tha Rafuna.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila në fjalën e saj fillimisht iu referua vendimit të djeshëm të Gjykatës Speciale në Hagë.

“Të gjithë do të donim që sot të kishim një ditë feste të përbashkët, ku promovojmë produktet, promovojmë bizneset dhe promovojmë lidhjen tonë të përbashkët të natyrshme, atë të bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe bizneseve të rajonit dhe më gjerë.

Ashtu siç u tha edhe në hapje, kjo ditë sot është më e zymtë se zakonisht, për shkak të një vendimi të cilin bashkë e dëgjuam, na trishtoi, por edhe na mobilizoi që të kuptojmë rëndësinë e unitetit, rëndësinë e vlerën e lirisë dhe drejtësisë, dhe bashkimin tonë e mobilizimin tonë. E aty ku janë ndërmarrësit, ku janë produktet, ku krijohet puna, janë edhe themelet e një shteti të fortë. Andaj me punën, me angazhimin, me përkushtimin tonë për prodhuesit, për kompanitë shërbyese, për kompanitë inovatore, e dimë dhe e kuptojmë se po e forcojmë shtetin. Me një shtet të fortë, drejtësia ka kuptim dhe liria merr formën e vet përfundimtare që presim ta kemi bashkë edhe me udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së shpejti në Kosovë”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se ministria që ajo drejton ka mbështetur pjesëmarrjen e kompanive kosovare në panaire ndërkombëtare, ndërsa theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Kosovës dhe organizatat e tjera të biznesit.

“Sot unë dua ta përgëzoj Odën Ekonomike të Kosovës për organizimin dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm me bizneset jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Këtu sot, krahas prezantimit të produkteve dhe shërbimeve, krijohen edhe mundësi për të gjetur partneritete të reja, për të plasuar produkte dhe për të treguar vlerën e prodhimit të Republikës së Kosovës. Nga Ministria që drejtoj, në këtë vit, në vitin 2026, kemi ndihmuar mbi 74 kompani vendore për pjesëmarrjen në nëntë panaire ndërkombëtare, ndërsa në to janë promovuar mbi 1,200 produkte Made in Kosova. Ministria gjithashtu po mbështet organizimin e panaireve dhe do të vazhdojë të mbështesë e të bashkëpunojë edhe me odat dhe të gjitha organizatat relevante të biznesit në Kosovë. Një i tillë ishte krah për krah, përpara nesh ishte Oda Ekonomike e Kosovës, pastaj ne me panairin për gratë në biznes. Në panairin tonë ishin mbi 20 biznese të udhëhequra nga gratë, që tregon një shembull të mirë të qasjes dhe ofrimit të zgjatjes së dorës për kategori të nënpërfaqësuara në ndërmarrësi.

Për të krijuar më shumë mundësi për bizneset tona, po punojmë gjithashtu edhe me ambasadat e vendeve mike këtu në Kosovë. Gjatë këtij viti kemi pasur forume në Itali, Holandë, Austri dhe Gjermani, ndërsa në muajt në vijim, deri në fund të vitit, presim në Kosovë përfaqësues të bizneseve nga Polonia, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera me të cilat jemi në diskutim për të organizuar dhe finalizuar këto aktivitete.

Për të forcuar bizneset vendore gjithashtu kemi plasuar nëntë skema mbështetëse me një buxhet prej 9.4 milionë eurosh, me përfitues rreth 230 biznese. Ndërsa për informatën tuaj dhe të bizneseve pjesëmarrëse, fokus janë investimet në makineri, inovacion, digjitalizim, energji të pastër, certifikim të produkteve, industri kreative dhe fuqizim të grave ndërmarrëse. Isha shumë e inkurajuar të marr listën fillestare me pjesëmarrjen e afër 36 bizneseve këtu, ndërsa tani para se të fillonim, kryetari i Odës Ekonomike, zoti Rafuna, më lajmëroi se numri është rritur në 50 biznese. Andaj ju përgëzoj dhe shpresoj që në këtë numër e me këtë angazhim e me këtë aktivitet do të kemi edhe rezultatet e pritshme e t’i tejkalojmë ato”.

“Gjithashtu uroj e shpresoj që shumë shpejt me infrastrukturën industriale, me të cilën Ministria dhe Qeveria po investon në rrjetin prej 16 parqesh industriale, do të kemi mundësi edhe më të mira si platformë për investime nga jashtë dhe investime nga brenda, kryesisht në zgjerimin e sektorit të prodhimit. Gjithashtu më lejoni që t’ju informoj që prej 1 tetorit hyn në fuqi edhe marrëveshja e EFTA-s me vendet si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, dhe Republika jonë është vendi i parë në rajon që në këtë marrëveshje ka negociuar tregtinë e lirë për shërbime e edhe produkte. Prandaj më shumë mundësi për bizneset tona për eksport në vendet si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, krahas edhe vendeve të CEFTA-s, pas ratifikimit të protokollit 5, 6 dhe 7 në Kuvendin e kaluar të Republikës së Kosovës, e gjithashtu edhe pjesëmarrjen tonë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit“, tha Kusari Lila.

Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e cilësoi “Prishtina 2026” si një hapësirë të rëndësishme për promovimin e sipërmarrjes, produkteve dhe investimeve, duke vënë theks të veçantë te bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Vërtet vijmë nga një ditë e vështirë, e djeshmja, por dua të them që ne shqiptarët gjithmonë kemi punuar dhe luftuar fort për ditë më të mira. Dhe patjetër që edhe këtë radhë do t’ia dalim. Për mua është kënaqësi dhe nder të jem këtu sot në hapjen e këtij panairi të përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2026”, një prej hapësirave të rëndësishme për promovimin e sipërmarrjes, produkteve, të investimeve dhe të mundësive të reja të bashkëpunimit ekonomik. Unë dua të përshëndes edhe të vlerësoj veçanërisht Odën Ekonomike të Kosovës, kryetarin e saj, zotin Lulzim Rafuna, edhe me stafin e tij, për organizimin e këtij panairi. Vlerësoj bashkëpunimin e ngushtë të Odës Ekonomike me Ministrinë e Tregtisë Sipërmarrjes, por edhe me ne si Ambasadë e Shqipërisë për të siguruar pjesëmarrje sa më masive nga kompanitë dhe bizneset nga Shqipëria. Panaire të tilla janë shumë më tepër se sa një ekspozim produktesh. Ato janë vende ku takohen idetë, ku krijohen kontaktet, ku ndërtohen besimet edhe lindin partneritetet e reja. Edhe pikërisht këtu qëndron dhe një nga vlerat e mëdha besoj të këtij panairi”, tha ai.

“Për ne si Shqipëri dhe Kosovë, bashkëpunimi ekonomik nuk është thjesht një çështje e marrëdhënieve tregtare, por ne e shohim atë si një mundësi për të shfrytëzuar më mirë potencialet tona të përbashkëta, për të krijuar më shumë hapësirë për sipërmarrjen dhe për t’u dhënë bizneseve tona mundësinë që ato të rriten së bashku.Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Kosovë kanë bërë hapa të rëndësishëm, por potenciali do të thoja që kemi përpara është shumë, shumë më i madh. Ne kemi një treg të përbashkët natyror, kemi afërsi gjeografike, kemi lidhje të fuqishme njerëzore, kulturore dhe mbi të gjitha kemi interesa të përbashkëta për zhvillim edhe integrim ekonomik. E prandaj duhet të synojmë që shkëmbimet tregtare përmes Kosovës edhe Shqipërisë, të synojmë që këto shkëmbime të mos mbeten vetëm në nivelin e shkëmbimit të mallrave, por të kalojnë gjithnjë e më shumë drejt investimeve të përbashkëta, partneriteteve ndërmjet kompanive, zinxhirëve të përbashkët të prodhimit, promovimit të eksporteve dhe depërtimit së bashku në tregje të reja europiane dhe më gjerë”, shtoi ai.

Pjesë e panairit ishte edhe Komuna e Prishtinës, e cila po prezanton punën dhe mbështetjen për bujqësinë dhe prodhuesit vendorë.

Drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, tha se panairi është një mundësi për promovimin e produkteve vendore dhe krijimin e partneriteteve të reja.

“Sot po ashtu, jemi pjesë e këtij panairi ku si komunë po prezantojmë punën tonë dhe mbështetjen që po i japim bujqësisë dhe prodhuesve vendorë. Këtu jemi edhe me tregun mobil, gra punëtore dhe fermere, një mundësi e mirë për to për t’ju ofruar produktet e tyre te qytetarët, për t’ju dhënë më shumë hapësirë prodhimeve vendore. Si drejtoreshë e bujqësisë në Komunën e Prishtinës, e shoh këtë panair si një mundësi të rëndësishme për promovimin e prodhimeve vendore, krijimin e partneriteteve të reja dhe hapjen e mundësive të reja për fermerët tanë. Përmes memorandumit të bashkëpunimit që kemi lidhur si komunë me Odën Ekonomike, synojmë që bashkëpunimin ta kthejmë në rezultate konkrete, më shumë mundësi për fermerët, më shumë promovim për prodhimet tona dhe më shumë hapësirë për zhvillimin e bujqësisë lokale. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë fermerëve dhe prodhuesve tanë, sepse mbështetja e bujqësisë është investim në ekonominë dhe në të ardhmen e komunitetit tonë“, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër