Shkup, 18 shtator, Zhurnal.mk – Sot, Universiteti i Tetovës e mirëpriti një grup studentësh dhe profesorësh nga Fakulteti i
Drejtësisë dhe Administratës i Universitetit të Lodzit nga Polonia, të cilët ishin pjesëmarrës në projektin ndërkombëtar “EU Aspirations Exchange: Learning from a Candidate Country”, që realizohet në kuadër të mobilitetit të dytë të projektit i cili synon të sjellë perspektiva të ndryshme mbi Evropën dhe Bashkimin Evropian.
Fillimisht ata u takuan me Prorektorin për Shkencë të UT – së, Prof. Dr. Agon Memeti, i
shoqëruar nga Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri dhe Mr. Sc. Donika Kamberi nga Zyra për
Bashkëpunim Ndërkombëtar. Gjatë këtij takimi, delegacioni nga Polonia u njoh me
historikun dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, programet e studimit dhe
veprimtarinë akademike e shkencore të tij, me theks të veçantë në Fakultetin Juridik.
Më pas, aktiviteti vazhdoi në ambientet e Klinikës Juridike të Fakultetit Juridik, ku
profesorët e Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Fatmir Xheladini, prodekania për shkencë dhe
koordinatorja e Klinikës Juridike, Doc. Dr. Njomza Selimi dhe Prof. Dr. Vlona
Pollozhani, mbajtën prezantime dhe diskutuan mbi integrimin evropian, identitetin,
vlerat, të drejtën evropiane, si dhe sfidat dhe perspektivat e vendeve kandidate në
procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Profesorët dhe studentët nga Polonia, po ashtu e vizituan kampusin e Universitetit të
Tetovës, ku patën mundësi të njihen me ambientet dhe infrastrukturën universitare, si
dhe të shkëmbejnë përvoja me përfaqësuesit e Universitetit. Ky projekti bashkon të rinj nga Polonia, si vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe
Maqedonia e Veriut, si vend kandidat, duke krijuar hapësirë për dialog, shkëmbim
ndërkulturor mbi të ardhmen e përbashkët evropiane.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet fuqizimi i të rinjve si qytetarë të informuar, kritikë
dhe aktivë në proceset demokratike dhe shoqërore.
