Nuhiu: Kodi Zgjedhor ka nevojë urgjente për ndryshim, në lojë edhe fondet e BE-së

Nga R.ZH
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 shtator, Zhurnal.mk – Përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë theksojnë se reformimi i Kodit Zgjedhor është i pashmangshëm. Megjithëse tashmë ka përpjekje për ta miratuar atë, procesi ende ndodhet në fazë negociatash.

Politologu Qani Nuhiu, në një deklaratë për TVM-2, nënvizon se këto ndryshime duhet të kryhen pa vonesë, sepse legjislacioni aktual zgjedhor nuk i përgjigjet më kohës.

“Kuadri ligjor që përcakton procesin zgjedhor është një element tejet i rëndësishëm i sistemit politik dhe i zhvillimit demokratik të një vendi. Kjo lëndë kërkon një kompromis të gjerë në një shtet politiko-etnik, pra në dy segmente, meqë pavarësisht se sa të mëdha ose të vogla janë partitë në parlament, të gjitha duhet të bien dakord për një model të caktuar. Kjo forcon kohezionin politik dhe rrit legjitimitetin e ligjit përkatës, pra të Kodit Zgjedhor tek të gjitha subjektet, duke u dhënë mundësi të barabarta. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, edhe ndryshimet e ardhshme duhet të kenë parasysh këtë dimension”, u shpreh Nuhiu.

Ai shton se krahas kërkesave të brendshme, edhe presioni i faktorit ndërkombëtar për ndryshime është i konsiderueshëm.

“Andaj është momenti i fundit që ky sistem zgjedhor, konkretisht Kodi Zgjedhor, të pësojë transformimet e nevojshme për të cilat do të arrihet marrëveshja. Idealisht, do të ishte mirë që të përfshihen të gjitha partitë politike, ose një shumicë dërrmuese që do të pajtohej, dhe ndryshimet të realizohen në atë mënyrë. Kjo sigurisht që do t’i përgjigjej kohës, sepse kodi aktual nuk u bën ballë sfidave; ai u miratua në vitin 2002 dhe ka pësuar mbi 30 ndryshime deri tani. Prandaj lind nevoja për ta hartuar atë në mënyrë të qartë dhe të zbatueshme për institucionet zgjedhore, si dhe për të gjetur zgjidhje që i qëndrojnë kohës, me qëllim final demokratizimin e shtetit, shoqërisë dhe një përfaqësim sa më të mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, përfundoi politikologu.

Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe në Kodin Penal janë pjesë e detyrimeve që burojnë nga Agjenda Reformuese. Për këtë arsye, përtej domosdoshmërisë politike, mosmiratimi i tyre vë në pikëpyetje edhe 4.28 milionë euro të lidhura me këtë reformë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër