Konferenca e Kryetarëve, PD kundër Reformës Territoriale në kalendar

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Në Kuvendin e Shqipërisë është mbledhur këtë të hënë Konferenca e Kryetarëve, për përcaktimin e projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 28 shtator – 6 nëntor 2026.

Po ashtu, gjatë punimeve do të shqyrtohet edhe projektkalendari i punimeve të Kuvendit për periudhën 28 shtator – 16 tetor 2026.

Në nisje të mbledhjes, Partia Demokratike është shprehur kundër përfshirjes së Reformës Territoriale në programin e punës së Kuvendit. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u shpreh se Reforma Territoriale duhet të vijojë të jetë në procesin e konsultimit publik.

“Partia Demokratike është kundër këtij kalendari që keni paraqitur. Ju keni përfshirë për diskutim projektligjin për Reformën Territoriale. Kjo është një çështje e papranueshme për shumë faktorë”, u shpreh ai.

“Së pari”, – tha Bardhi, “nuk mund të kaloni një reformë kaq të rëndësishme pa konsensusin e opozitës. Gjithashtu, ju zhvilluat një proces tallës me shqiptarët. Ngritët një komision, ndërkohë që ndarjen e kishit në tavolinë dhe e kishit të gatshme”.

“Sot e sillni këtë çështje këtu, të përfshirë në kalendar. Edhe ajo që po bëni sot është një tallje dhe shkelje e Kushtetutës, pasi aktualisht ka një proces konsultimi publik, ndërsa ju parashikoni diskutimin e projektligjit në komisione. Prandaj, ne jemi kundër”, vijoi Bardhi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër