Shkup, 21 shtator, Zhurnal.mk – Fermerët në Maqedoninë e Veriut po përballen me një goditje të dyfishtë ku shpenzimet bujqësore janë rritur me 7%, ndërsa çmimet e prodhimeve kanë rënë me 2.2%. Sipas të dhënave zyrtare, rritja më e madhe e kostove është regjistruar te pajisjet e transportit, energjia, karburantet dhe makineritë. Në të njëjtën kohë, kanë rënë çmimet e produkteve shtazore, frutave, rrushit dhe perimeve, duke e bërë pozitën e bujqve edhe më të brishtë edhe më të rëndë, shkruan Zhurnal.
Shpenzimet +7%, prodhimet ulen 2.2%
Fermerët sot gjenden në një spirale të rrezikshme ekonomike ku kostot e tyre rriten, ndërsa të ardhurat zvogëlohen. Rritja prej 7% e shpenzimeve bujqësore është një barrë e rëndë mbi supet e bujqve që tashmë punojnë me marzhe minimale fitimi. Çmimet e inputeve nga karburantet deri te makineritë po e bëjnë çdo sezon bujqësor më të kushtueshëm.
Në të kundërt, tregu nuk po shpërblen mundin e tyre. Çmimet e prodhimeve kanë rënë me 2.2%, duke e ulur vlerën e punës së bujqve. Produktet shtazore, frutat, rrushi dhe perimet sektorë që tradicionalisht kanë qenë shtylla e bujqësisë vendore po shiten më lirë, duke i lënë fermerët pa mundësi të mbulojnë shpenzimet bazë.
Ky disbalancë mes kostove dhe të ardhurave është alarm për ekonominë rurale. Nëse trendi vazhdon, shumë fermerë do të braktisin tokën, duke e lënë bujqësinë në një gjendje edhe më të dobët. Pa ndërhyrje të menjëhershme, kriza e sotme mund të shndërrohet në kolaps të plotë të sektorit bujqësor.
RMV edhe pse ka tokë pjellore varet shumë nga importi nga jashtë
Maqedonia e Veriut ka tokë pjellore me bollëk, por mungesa e një strategjie afatgjate e ka bërë bujqësinë të brishtë dhe të paqëndrueshme. Fshatrat po boshatisen, arat po mbeten të pashfrytëzuara, ndërsa të rinjtë largohen nga bujqësia për shkak të mungesës së perspektivës. Ky realitet e ka kthyer vendin në një konsumator të produkteve të importuara, duke e rritur varësinë nga tregjet e huaja.
Në vend që të ndërtohet një politikë e qëndrueshme për të mbajtur gjallë bujqit aktual, shteti shpesh reagon vetëm me masa të përkohshme. Subvencionet shpërndahen pa një vizion të qartë, duke mos arritur të rikthejnë besimin e bujqve në këtë profesion. Pa një strategji të mirëfilltë, bujqësia nuk mund të jetë konkurruese dhe nuk mund të sigurojë stabilitet ekonomik.
Është e domosdoshme që politikat bujqësore të fokusohen në mbështetje reale si subvencione të përshtatura, investime në teknologji moderne, dhe krijimin e kushteve që bujqit të mos e shohin tokën si barrë, por si mundësi. Vetëm kështu mund të rikthehet prodhimi vendor dhe të reduktohet varësia nga importi.
Kujtojmë që, kriza e bujqësisë në Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm problem i fermerëve por i gjithë shoqërisë. Kur bujqit nuk kanë mundësi të prodhojnë, vendi bëhet i varur nga importi, çmimet e ushqimit rriten dhe standardi i jetesës bie. Sot është koha për një strategji të qartë dhe afatgjatë që e sheh bujqësinë si sektor strategjik, jo si barrë buxhetore. Pa bujq, nuk ka siguri ushqimore e pa siguri ushqimore nuk ka as stabilitet ekonomik. /Zhurnal.mk
