Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri të ditur sot se ndarja e re territoriale pritet të kalojë për miratim në seancën plenare të datës 8 tetor.
Në një prononcim për mediet, Balla deklaroi se afati 60-ditor për konsultimin e reformës territoriale në këshillat bashkiakë është drejt fundit.
Balla i kujtoi të gjitha bashkive që nuk e kanë kthyer ende përgjigjen se kanë kohë deri në datën 29 shtator.
“Pa asnjë dyshim Kuvendi nuk mund të votojë para datës 29 shtator, nuk mund ta shkeli këtë afat, sepse është një afat ligjor. Pas datës 29 shtator, si programim është data 8 tetor, shpresoj shumë që të shkojmë për ta votuar”, tha Balla.
Balla theksoi se koha në dispozicion është e shkurtër tanimë. “Kemi të paktën 1 vit rresht që flasim për këtë çështje. Kjo nuk është reforma më e thellë që mund të bënim, është e pjesshme. Vitet që pasojnë do të kemi edhe reforma të tjera. Kalimi nga 61 bashki në 46 bashki është një hap dhe përfituesit e kësaj reforme do të jenë qytetarët që do të marrin shërbime më të mira”, tha Balla.
Balla theksoi se PS dëshiron që reforma të miratohet me konsensus, ndërsa kujtoi se “nuk e kemi pasur konsensusin as në vitin 2014 me të njëjtin formacion politik përballë”.
