Karakaçi inspekton ujësjellësin e ri në Mamurras: Së shpejti nis investimi edhe për zonat rurale

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Në Mamurras ka përfunduar faza e parë e investimit për ndërtimin e ujësjellësit të ri. Ky investim ka mundësuar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afro 20 mijë banorë të zonës urbane.

Janë kryer një sërë ndërhyrjesh, duke nisur me hapjen e tre puseve të reja, ndërtimin e një depoje të re, ndërtimin e tubacionit të transmetimit, ndërtimin e rrjetit shpërndarës dhe të sistemit të monitorimit SCADA, si dhe vendosjen e më shumë se 1 600 matësve të rinj. Të gjitha këto ndërhyrje kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të shërbimit për të gjithë abonentët.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK), Fludian Çuka, dhe kryetaren e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, inspektuan nga afër investimin e realizuar.

“Këtu janë hapur tre puse të reja. Dy puset kryesore japin një prodhim prej 70 deri në 100 litra në sekondë, ndërsa pusi tjetër është 15 deri në 20 litra në sekondë. Pastaj, nga puset ne shkojmë te stacioni i pompimit dhe vijmë te depoja kryesore. Më pas, me linjën e transmetimit, shpërndahet në të gjithë qytetin dhe, me rrjetin shpërndarës, shkon në të gjitha banesat dhe shtëpitë. Janë rreth 1 500 lidhje të reja që janë bërë. Në total janë 2 800 lidhje, por 1 500 janë bërë me sistemin e ri, me tubacionet e reja”, sqaroi Çuka.

Për kryebashkiaken Cara, investimi i realizuar në ujësjellësin e Mamurrasit është një ndër investimet më të rëndësishme në zonë dhe një kërkesë e vazhdueshme e banorëve.

“Është një investim i kahershëm, i kërkuar nga banorët, sepse uji është gjëja më e domosdoshme për këtë komunitet, por edhe për të gjithë ne, dhe është një nga investimet më të mëdha që i ka ardhur qytetit të Mamurrasit”, deklaroi Cara.

Pas përfundimit të fazës së parë të këtij projekti, nga i cili përfiton i gjithë qyteti i Mamurrasit, ministri Karakaçi bëri të ditur se së shpejti do të nisin punimet edhe për fazën e dytë, e cila do të shtrihet edhe në zonat rurale, duke mbuluar shtatë fshatra. “Ne jemi pothuajse në fazën përmbyllëse të hartimit të procedurës. Brenda 2-3 javëve shpallim procedurën e prokurimit për fazën e dytë, në mënyrë që viti pasardhës të na gjejë edhe me zgjerimin në zonat e fshatrave të Mamurrasit, që mendoj se e përmbyllim, si të thuash, gjithë këtë zonë”, deklaroi Karakaçi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej tek investimet që Qeveria shqiptare ka realizuar në qarkun e Lezhës, të cilat kanë në fokus përmirësimin e cilësisë dhe standardit të furnizimit me ujë, si dhe trajtimin e ujërave të ndotura.

“Vetëm këtë vit ne përfunduam një projekt shumë të rëndësishëm me Bankën Gjermane KfW, që kishte një vlerë rreth 16 milionë euro dhe që ka të bëjë me zgjerimin e rrjetit të Shëngjinit dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në Bashkinë e Lezhës, si dhe me trajtimin e ujërave të shiut dhe vendosjen e një sistemi për ujërat e shiut, ndërkohë që po bëhet edhe rehabilitimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura. Kjo është vetëm faza e parë. Vazhdojmë tani edhe me fazën e dytë, që ka një vlerë prej rreth 26 milionë eurosh, me të cilën përsëri bëjmë përmbylljen e rrjetit të Shëngjinit, por edhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura. Janë pothuajse 40 milionë euro që do të investohen në Bashkinë e Lezhës për disa pjesë, sepse, sigurisht, ka zona turistike që duhet t’i mbulojmë edhe me impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura. Impianti tashmë është rehabilituar, por ne po përpiqemi edhe ta zgjerojmë me fazën e dytë të projektit, si dhe me linjën e furnizimit të Shëngjinit”, u shpreh Karakaçi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër