Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Tre organizatat kryesore përfaqësuese të sistemit të drejtësisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë kundër ligjit nr. 95/2026, “Për pagat e magjistratëve”, të miratuar nga Kuvendi më 18 shtator.
Në kërkesën e tyre, organizatat kërkojnë shfuqizimin e plotë të ligjit, duke e konsideruar atë antikushtetues, si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Një nga pretendimet kryesore lidhet me formulën e përcaktimit të pagës referuese bazë të magjistratit, e cila sipas ligjit të ri lidhet me pagën e Presidentit të Republikës, nëpërmjet koeficientit 0.38.
Kërkuesit argumentojnë se kjo formulë sjell ulje dhe ngrirje të pagave dhe bie ndesh me Vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, pas mosmiratimit nga Kuvendi të ndryshimeve brenda afatit të përcaktuar, më 31 korrik 2026, duhej të zbatohej formula e përcaktuar nga kuadri kushtetues dhe ligjor me referencë te funksionari i administratës së lartë publike.
Në kërkesë ngrihen edhe pretendime për efektet prapavepruese të ligjit, pasi dispozitat financiare shtrihen që nga 1 prilli 2023. Sipas organizatave, kjo mund të sjellë rillogaritje në ulje të pagave, krijimin e diferencave debitore, si dhe cenim të të drejtave të fituara dhe të parimit të sigurisë juridike.
Organizatat kundërshtojnë edhe ndikimin që, sipas tyre, ligji ka mbi pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Në kërkesë argumentohet se paga e magjistratit, e garantuar nga neni 138 i Kushtetutës, përbën një nga garancitë materiale të pavarësisë së gjyqësorit.
Sipas kërkuesve, ndërhyrja me efekt prapaveprues prek edhe procese gjyqësore administrative që janë aktualisht në zhvillim kundër Ministrisë së Financave dhe Thesarit.
Në kërkesë argumentohet gjithashtu se ndryshimet kanë ndikim përtej pagave të magjistratëve, pasi paga e tyre shërben si bazë referuese për përcaktimin e pagave të hetuesve të BKH-së, oficerëve të Policisë Gjyqësore, këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe administratës gjyqësore.
Sipas tre organizatave, ndryshimi i kësaj lidhjeje krijon fragmentim dhe pasiguri në skemën e pagave në të gjithë sistemin e drejtësisë.
Një tjetër pretendim lidhet me procedurën parlamentare të ndjekur për miratimin e ligjit. Organizatat shprehen se procesi nuk ka garantuar konsultim real, transparent dhe efektiv me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë.
Sipas tyre, njoftimi për pjesëmarrjen në dëgjesat e komisioneve parlamentare të zhvilluara më 15 shtator 2026 është bërë vetëm pak minuta përpara mbledhjeve, duke pamundësuar paraqitjen dhe diskutimin në mënyrë substanciale të qëndrimeve të tyre.
Kërkesa tashmë i është paraqitur për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vlerësojë pretendimet e ngritura dhe kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit.
