Pekin, 22 shtator, Zhurnal.mk – Evropa duhet të rishikojë mënyrën se si zhvillon tregtinë me Kinën, pasi pabarazia tregtare mes dy palëve po rritet, paralajmëroi sot Dhoma e Tregtisë e Bashkimit Evropian në Kinë.
“Shqetësimi ynë është se këto zhvillime po ngrenë disa pyetje themelore për mënyrën se si zhvillohet tregtia”, tha presidenti i organizatës, Jens Eskelund, në Pekin.
“Kur tregtia zhvillohet në mënyrë të drejtë, sjell përfitime dhe rrit efikasitetin për të dyja palët. Por, nëse tregtia fillon të sjellë përfitime vetëm për njërën palë dhe jo për tjetrën, atëherë lind pyetja: Pse duhet të vazhdojmë të tregtojmë në këtë mënyrë?”, tha Eskelund.
Ai iu referua tepricës së madhe tregtare të Kinës ndaj Evropës, e cila vlerësohet në rreth 1 miliard euro në ditë.
Kjo do të thotë se Kina shet në Evropë shumë më tepër mallra sesa blen nga vendet evropiane.
Dhoma Evropiane e Tregtisë ka kritikuar prej kohësh edhe kushtet e konkurrencës në Kinë, duke argumentuar se kompanitë evropiane përballen me vështirësi, për të konkurruar në mënyrë të barabartë me kompanitë kineze.
Sipas Eskelund, çështja nuk është vetëm nëse kompanitë evropiane mund të kenë sukses në Kinë, por edhe nëse marrëdhëniet tregtare mes Evropës dhe Kinës mund të mbeten të qëndrueshme.
“Edhe Evropa duhet të përfitojë dhe pikërisht në këtë pikë duhet të arrijmë”, tha ai.
Eskelund tha se në Evropë po rritet dakordësia se konkurrenca nga Kina po krijon probleme për industrinë evropiane.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Kina mund të mos e ketë kuptuar ende plotësisht, se qëndrimi i Evropës ndaj saj po ndryshon dhe se ky ndryshim mund të çojë më vonë, në masa konkrete nga ana evropiane.
Ndërkohë, BE-ja dhe Kina po zhvillojnë negociata për mosmarrëveshjet tregtare, ndërsa zgjidhje të mundshme priten në tetor.
Gjithashtu është diskutuar mundësia e vendosjes së tarifave të reja nga BE-ja për produktet kineze.
