Meksiko, 22 shtator, Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar dje Guatemalës, pajisje ushtarake për herë të parë në gati 50 vjet, duke i dhënë fund vendimit për ndalimin e shitjes dhe dërgimit të armëve, i vendosur për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Presidenti i Guatemalës, Bernardo Arévalo tha se vendi i tij do të marrë armë dhe pajisje me vlerë rreth 5 milionë dollarë.
Sipas qeverisë së Guatemalës, këto pajisje do të përdoren për të luftuar kartelet e drogës dhe për të mbrojtur popullsinë.
Sipas medieve lokale, dërgesa e parë përfshin pushkë M4, mitralozë, armë që hedhin granata dhe pajisje për operacione speciale gjatë natës.
SHBA-ja i kishte pezulluar dërgesat e armëve për Guatemalën në vitin 1977, gjatë një konflikti të brendshëm në vend, ku përballeshin forcat e sigurisë shtetërore, grupet guerrile të majta dhe grupet paramilitare të djathta.
Lufta civile zgjati nga viti 1960 deri në vitin 1996 dhe gjatë saj u vranë të paktën 200 mijë njerëz, shumica prej tyre civilë nga komunitetet indigjene.
Gjatë konfliktit, ushtarët u akuzuan dhe u dokumentuan për shumë masakra, si dhe për raste të dhunës seksuale.
