Bekim Jashari nderon Fehmi Lladrovcin: Nga rënia e familjes sime, gjithnjë e më pak mendonte për fatin e tij

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Në 28-vjetorin e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Bekim Jashari ka kujtuar figurën dhe veprën e tyre, duke vlerësuar kontributin e tyre në luftën për lirinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari ka rrëfyer për veprimtarinë atdhetare të Fehmi Lladrovcit, burgosjen e tij nga regjimi serb dhe vendosmërinë për të vazhduar rrugën drejt çlirimit të Kosovës.

Jashari ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Lladrovcit në luftën në Kroaci dhe angazhimin e tij për grumbullimin e armatimit për Kosovën. Ai ka rikujtuar edhe një deklaratë të Fehmi Lladrovcit në një intervistë për BBC-në, ku ishte shprehur se do të vdiste për Kosovën, duke theksuar se “më e shtrenjtë është liria se jeta”.

Sipas Jasharit, Fehmi Lladrovci shquhej për modestinë dhe përkushtimin ndaj bashkëluftëtarëve. Ai ka theksuar se Lladrovci, pavarësisht pozitës së komandantit, së bashku me bashkëshorten e tij, Xhevën, dilte ndër të parët në luftime dhe qëndronte pranë luftëtarëve.

“Rënia e familjes sonë e kishte prekur thellë. Nga ajo ditë, gjithnjë e më pak mendonte për fatin e tij. Mendonte për Kosovën, për lirinë dhe për brezat që do të vinin pas tij”, ka shkruar Jashari.

Ai ka bërë të ditur se së bashku me Hamzën, birin e tij, ka bërë homazhe te varri i Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, si dhe te varri i Fatime Hetemit dhe i bashkëluftëtarëve të tyre.

“Lavdi jetës dhe veprës heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për liri”, ka shkruar ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër