Tiranë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ka kërkuar transparencë dhe konsultim publik lidhur me projektin në Zvërnec.
Gjatë një prononcimi për gazetarët nga Vlora, pas vizitës me eurodeputetët në Zvërnec, Tabaku tha se vizita nuk ishte organizuar nga pala shqiptare dhe se ajo do të kishte preferuar që delegacioni të vizitonte edhe zonën ku ndodhen punimet dhe Aeroportin e Vlorës.
Sipas saj, Aeroporti i Vlorës lidhet me nisjen e dëmtimit të zonës së mbrojtur. Tabaku deklaroi se e ka denoncuar më herët projektin, duke ngritur shqetësime për mënyrën e dhënies së tenderit dhe ndikimin në mjedis.
“Vizita, me thënë të drejtën, është organizuar jo nga ne, por organizatorët kishin menduar një lëvizje ndryshe. Unë do kisha preferuar që ne të shkonim atje në zemër të Zvërnecit dhe të shikonim, së pari, Aeroportin e Vlorës, sepse pikënisja e shkatërrimit të një zone të mbrojtur është nga Aeroporti i Vlorës, dhe së dyti, të kishin takuar banorët”, tha ajo.
Tabaku tha se gjatë takimeve me banorët kishte evidentuar kërkesën për më shumë transparencë mbi procesin. Deputetja iu referua dy ligjeve, atij për zonat e mbrojtura dhe Ligjit për Investimet Strategjike, duke i cilësuar si “abuzive”.
“Të dy kërkesat e djeshme që u bënë me zë, në fakt, në tryezën e diskutimeve, vazhdojnë mbeten edhe sot. Dhe janë edhe ajo thirrja e banorëve, në fakt, që mua më mbeti kur i takova: “Anuloni ligjin!” Këtu bëhet fjalë për dy ligje: për Ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe për Ligjin e Investimeve Strategjike. Të dy ligje të cilat janë abuzive. Askush nuk e di çfarë po ndodh, askush nuk e di çfarë do të bëhet. Dhe unë besoj se është kërkesa legjitime e vlonjatëve, e banorëve, e pronarëve, që ky proces duhet të jetë transparent dhe i hapur”, tha ajo.
Tabaku e lidhi gjithashtu çështjen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se zbatimi i legjislacionit për prokurimet publike dhe koncesionet përbën detyrim dhe jo thjesht një zgjedhje.
“Fakti që Ligji i Zonave të Mbrojtura sot është një nga ligjet më të debatuara dhe ligji erdhi i ndryshuar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë, pa konsultime, edhe me kundërshtitë e shumta nga organizatat mjedisore, ka një pikëpyetje shumë të madhe.Kjo është shoqëruar me Ligjin e Investimeve Strategjike, sepse nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar; bëhet fjalë për disa ligje në mënyrë të njëpasnjëshme të ndryshuara”, tha ajo.
Tabaku u shpreh se do të kishte preferuar që delegacioni i eurodeputetëve të shihte nga afër punimet në Zvërnec dhe Aeroportin e Vlorës, për të cilin tha se është një nga projektet që ka ngritur më herët shqetësime lidhur me ndikimin në zonën e mbrojtur.
“Unë do kisha dashur që ne të ishim ulur atje në Zvërnec, të kishim parë punimet; do kisha dashur që të kishim parë Aeroportin e Vlorës, sepse këtu tre vjet më parë me Aeroportin e Vlorës nisi prishja dhe dëmtimi i zonës së mbrojtur. Unë besoj më keni ndjekur që unë kam qenë e para që e kam denoncuar Aeroportin e Vlorës. E kam denoncuar për mënyrën se si është dhënë tenderi, e kam denoncuar për faktin që aeroporti ishte i pari që ishte në zonën e mbrojtur, u bë pa një analizë të ndikimit në mjedis”, tha ajo.
